Ish-Presidentja Jahjaga reagon për vrasjen e dyfishtë në Gjilan: “Asnjë grua nuk duhet ta paguajë me jetë të drejtën për të jetuar e lirë”
Gjilan, 09.10.2026 – Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me vrasjen e dyfishtë që ndodhi mbrëmë në Livoç të Ulët, në Komunën e Gjilanit.
Jahjaga ka theksuar se dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet më si një “tragjedi e radhës” dhe se institucionet e shoqëria duhet të përballen me këtë realitet.
Në reagimin e saj, ish-Presidentja shkroi:

“Edhe sa jetë duhet të shuhen që dhuna ndaj grave mos të trajtohet vetëm si një tragjedi e radhës? Ngjarja e rëndë dje në Gjilan na tronditi thellësisht, por përtej dhimbjes dhe tronditjes, duhet të përballemi me një realitet të hidhur: që ende jetojmë në një shoqëri ku gratë humbin jetën pikërisht nga ata pranë të cilëve duhet të ndihen të sigurta.”
Jahjaga shtoi se “asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikën se mund të vritet dhe asnjë grua nuk duhet ta paguajë me jetë të drejtën për të jetuar e lirë, e sigurt dhe me dinjitet”.
Sipas saj, vrasja e grave nuk është çështje private.
“Vrasja e grave nuk është thjesht një tragjedi individuale e as një çështje private familjare. Por as nuk është betejë vetëm e grave. Ajo është përgjegjësi e gjithë shoqërisë dhe institucioneve që të sfidojmë mentalitetet që e normalizojnë dhunën, heshtjen që e toleron atë dhe çdo përpjekje për ta justifikuar apo minimizuar”, deklaroi Jahjaga.
Në fund të reagimit, ish-Presidentja i shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe i uroi shërim të shpejtë personit të plagosur.
“Familjeve që sot vajtojnë humbjen e më të dashurve të tyre u shpreh ngushëllimet e mia më të thella, ndërsa personit të plagosur i uroj shërim të shpejtë. Një shoqëri nuk mund të quhet e drejtë dhe e barabartë përderisa gratë duhet të luftojnë edhe për të drejtën më themelore, të drejtën për të jetuar”, përfundoi ajo.
