Aksident me 4 automjete në Parallovë, 11 të lënduar
Gjilan, 09.10.2026 – Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Parallovë, në aksin rrugor Gjilan-Prishtinë.
Në aksident janë përfshirë katër automjete, kurse 11 persona kanë pësuar lëndime trupore.
Lajmin për TV Gjilani e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Valon Osmani.

“Janë përfshirë 4 automjete, 11 të lënduar në spital”
Sipas Osmanit, aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00.
“Më datën 09.10.2026 rreth orës 18:00, në aksin rrugor Gjilan-Prishtinë, gjegjësisht në fshatin Parallovë, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë katër automjete. Si pasojë e aksidentit, përveç dëmeve materiale, lëndime trupore kanë pësuar njëmbëdhjetë persona”, tha Osmani.
Ai shtoi se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.
“Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjilan, përkatësisht hetuesit policorë të trafikut, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit”, përfundoi zëdhënësi Osmani.
Policia ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë vozitjes në këtë aks rrugor.
