Ndërroi jetë Hysnije Geci Demi, Ndër gratë e para të Anamoravës që u shkollua dhe iu përkushtua studentëve në Prishtinë
Ndërroi jetë Hysnije Geci Demi. Ajo njihet si njera ndër gratë e para të gjeneratës së Roganës dhe Anamoravës që u shkollua dhe iu përkushtua studentëve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë
Ndër gratë e para të gjeneratës së Roganës dhe Anamoravës që u shkollua dhe iu përkushtua studentëve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë
Në përkujtim të HYSNIJES LIMON GECIT – DEMIT

Më 2 tetor 2026 u nda nga jeta bashkëvendësja jonë, Hysnije Geci Demi, njëra ndër gratë e para të shkolluara të Roganës.
Hysnija, pas përfundimit të shkollimit fillor në vendlindje, vazhdoi gjimnazin në Kamenicë, ndërsa më vonë, në vitin 1970, vazhdoi shkollimin në SHLP dhe më pas edhe studimet në Fakultetin e Gjuhës Shqipe.
Jeta e saj profesionale dhe shoqërore ishte e lidhur ngushtë me arsimin dhe me përkushtimin ndaj brezave të rinj.
Si punëtore në konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Hysnija u vu në shërbim të studenteve dhe studentëve që dëshironin të arsimoheshin, por që nuk kishin mundësi ta përballonin banimin privat. Ajo u angazhua me përkushtim të madh që studentët në nevojë të sistemoheshin në konviktet e Qendrës së Studentëve, duke ua lehtësuar kështu rrugën drejt arsimimit dhe formimit të tyre.
Hysnije Geci vinte nga një familje intelektuale e Roganës, në të cilën arsimi ka qenë përherë një nga synimet dhe vlerat parësore.
Në këtë drejtim, një rol të veçantë pati babai i saj, Limon Geci, i cili i kushtoi rëndësi të madhe arsimimit të fëmijëve të vet.
Këtë traditë të familjes e vazhdoi edhe vëllai i saj, prof. dr. Shaban Geci, duke e dëshmuar edhe një herë përkushtimin e kësaj familjeje ndaj dijes, arsimit dhe kulturës.
Hysnija ishte pjesë e asaj gjenerate grash që, në rrethana jo gjithmonë të lehta, e hapën rrugën e shkollimit dhe të emancipimit për brezat që erdhën pas tyre. Ishte ndër gratë e para të Roganës dhe mbarë trevës së Anamoravës që u shkollua dhe u emancipua.
Me punën, përkushtimin dhe humanizmin e saj, ajo la gjurmë në jetën e shumë njerëzve, veçanërisht të studentëve të cilëve u shërbeu me përkushtim.
Sot e kujtojmë me respekt jetën, punën dhe kontributin e saj për arsimin, për studentët dhe për vendlindjen.
Lavdi jetës dhe veprës së Hysnije Gecit! U prehtë në paqe dhe i qoftë i paharruar kujtimi!
Dedikim i bashkëvendësit nga Rogana, z. Xhevdet Kallaba.
