Opinion nga Qemajl Mustafa: – O politikaj t’këtij vendi Vendoseni më në fund komunikimin e mirëfilltë dhe qasuni me mirëbesim ndaj njëri tjetrit
O politikaj t’këtij vendi Vendoseni më në fund komunikimin e mirëfilltë dhe qasuni me mirëbesim ndaj njëri tjetrit për temat që janë me rëndësi shtetërore e kombtare, për temat që janë urgjente e që patjetër duhet të shtyhen bashkë.
Nuk mund ta kuptoj asësesi qëndrimin kaq të ngurtë (dhe sipas meje jologjik) të PDK-së lidhur me përcaktimin rreth prioriteteve për institucionet e shtetit dhe për ndryshimin e ligjit për dhomat e specializuara.

Opinion nga Qemajl Mustafa, ish kryetar i Gjilanit

Nuk nevojitet shumë informacion apo mençuri e madhe për të kuptuar se prioriteti mbi të gjitha prioritetet në këtë moment është konstituimi i të gjitha institucioneve të shtetit dhe, përmes tyre, ruajtja dhe forcimi i tij.
Nëse shteti stabil i Kosovës është garanci për sigurinë, për drejtësinë, për zhvillimin e gjithanshëm dhe për demokracinë në Kosovë dhe nëse shteti në këtë moment është thuaja e vetmja shpresë dhe duhet të jetë pa diskutim mbështetja më e madhe për ta kontestuar dhe ndryshuar vendimin gjyqësor për katërshen e UÇK-së në Hagë atëherë kujt po i shërben fortifikimi i kesaj partie me kushtëzim rreth zgjedhjes se presidentit?!
Po nuk u zgjodh presidenti deri ne orën 24:00 tē datës 6 Tetor, ne shkojmë sërish në zgjedhje dhe mbesim pa kuvend, pa president dhe sërish me qeveri në detyrë. Pra, përveç që iniciativa e PDK nuk mbrrin fare në kuvend edhe pas 6 Tetorit, ne mbesim vend pa institucione dhe rrjedhimisht edhe pa mundësinë për me e perkrahë fuqishëm mbrojtjen e katërshes së UÇK-së në Hagë.

Qëndrimi kaq rigjid i PDK-së (sipas mendimit tim, i menduar hiç mirë) për prioritetin e parë dhe të padiskutueshëm të propozimit për ndryshimin e ligjit mbi dhomat e specializuara në Hagë, qysh po e mar vesh unë po e sjell efektin e kundërt të asaj që PDK po e proklamon publikisht.
Kjo që po ndodhë me komunikimin e PDK-së me LVV nuk është kontribut për mirëbesim mes tyre por në fakt është pikërisht e kundërta.
Nëse ekspertët e kanë përfundue leximin e propozimit të PDK dhe nëse kanë konstatue që ky propozim është në dobinë tonë por edhe nuk bie ndesh me kushtetutën e RKS dhe nuk bie ndesh me qëndrimin e miqëve tanë rreth dhomave të specializuara, është krejt në rregull me shku me urgjencë në kuvend dhe me u votue në të dy leximet por nëse ky propozim nuk është studjue mirë dhe nëse nuk është plotësisht në dobi të Kosovës e të katërshes në Hagë, atëherë do të duhej me marrëveshje me i dhënë kohë studimit dhe miratimit të tij në grupet e ekspertëve dhe në komisionet përkatëse para shkuarjes në seancë të kuvendit.
Kjo i bie që çështja e presidentit (sipas gjykates kushtetuese) nuk pret fare ashtu qysh nuk pret fare as afati i apelimit në Hagë ndërsa ndryshimi i ligjit realisht mund të pret edhe ndonjë ditë.
Marrëveshjet e qëndrueshme dhe punët e mëdha e të mira për shtetin dhe për katërshen në Hagë bëhen veç me mirëbesim dhe asësesi ndryshe. Është momenti i fundit që subjektet politike të nisin me i besue njëra tjetrës sepse u pa këto 6 vitet e fundit që me inate e me ndërskamca nuk mund të mbahet shpia.
Sjelljet mujshore e inatçore veç sa e rëndojnë gjendjen edhe më shumë dhe e stagnojnë progresin tonë në të gjitha temat e në të gjitha fushat e jetës publike
