Kosovë–Izrael, masa të shtuara sigurie në Prishtinë, Policia paralajmëron kufizime në trafik
Policia e Kosovës ka aktivizuar një plan të posaçëm sigurie për ndeshjen e sotme ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e vlefshme për Ligën e Kombeve, e cila zhvillohet në Prishtinë nga ora 15:00.
Masat policore janë vënë në zbatim që nga mbërritja e përfaqësueses izraelite në Kosovë dhe përfshijnë përcjelljen e ekipit mysafir, sigurimin e itinerareve të lëvizjes dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve që lidhen me qëndrimin e futbollistëve dhe stafit të tyre.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sigurisë gjatë ditës së ndeshjes, përfshirë lëvizjen e eskortave dhe menaxhimin e qarkullimit në kryeqytet. Në këtë kuadër, mund të ketë ndalesa dhe kufizime të përkohshme në disa segmente rrugore, për çka Policia ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve.

Plani operativ po zbatohet në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), ndërsa angazhimi policor do të jetë i pranishëm gjatë të gjitha fazave të organizimit të kësaj ngjarjeje sportive.
Për tifozët që do të jenë në stadium, institucionet kanë përsëritur thirrjen që të mbërrijnë më herët, të pajisen me biletat dhe dokumentet identifikuese, si dhe të shmangin bartjen e sendeve të ndaluara, mjeteve të rrezikshme apo materialeve që nuk lejohen në stadium.
Policia ka theksuar se prioritet mbetet ruajtja e rendit publik, parandalimi i incidenteve dhe krijimi i kushteve të sigurta për zhvillimin e ndeshjes.
Qytetarët që kanë informacione për ndonjë rast apo situatë që kërkon ndërhyrjen e Policisë mund të kontaktojnë në numrin 192.
