Inara Sadiku nga Gjilani fiton teleskopin profesional Celestron në Ditën Ndërkombëtare të Asteroidëve
Vajza nga Gjilani u shpall fituese e çmimit kryesor gjatë manifestimit shkencor që mblodhi rreth 700 pjesëmarrës në Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të Kosovës, një aktivitet që dëshmoi edhe një herë se astronomia në Kosovë po hyn në një etapë të re zhvillimi falë punës së palodhshme të astronomes Pranvera Hyseni, raporton TV Gjilani.
SHTIME/GJILAN – Pas një dite të mbushur me ligjërata shkencore, vrojtime astronomike dhe aktivitete edukative në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Asteroidëve, momenti më i shumëpritur i mbrëmjes ishte tërheqja e shortit për teleskopin profesional Celestron Lumina 130 mm.

Fituesja e çmimit kryesor rezultoi Inara Sadiku nga Gjilani, e cila do të ketë tashmë mundësinë të hedhë hapat e saj të parë në botën e vrojtimeve astronomike me një teleskop profesional.

Përveç teleskopit, organizatorët shpërndanë edhe fragmente meteoritësh, suvenire shkencore, ushqim astronautësh dhe dhurata të tjera për pjesëmarrësit, duke e shndërruar aktivitetin në një festë të vërtetë të shkencës.
Në njoftimin zyrtar, Astronomy Outreach of Kosovo e cilësoi Inarën si një astronome të ardhshme, duke i uruar suksese në rrugëtimin e saj drejt eksplorimit të universit.

Megjithatë, kjo ngjarje nuk përfaqëson vetëm ndarjen e një çmimi. Ajo është rezultat i një pune shumëvjeçare për ta afruar astronominë me të rinjtë dhe publikun në Kosovë.
Teleskopi ishte sjellë nga Kalifornia enkas për këtë aktivitet nga astronomja kosovare Pranvera Hyseni, e cila kishte premtuar se do t’ia dhuronte njërit prej pjesëmarrësve në Ditën Ndërkombëtare të Asteroidëve.
“Këtë teleskop me aperturë 130 milimetra po e sjell në Kosovë prej Kalifornisë për t’ia dhuru njonit prej jush. Nuk e di akoma kujt… veç e di që dikush shumë shpejt ka me u bo me teleskop,” kishte shkruar ajo disa ditë para organizimit.
Premtimi u përmbush në mbrëmjen e 30 qershorit, kur shorti zgjodhi Inara Sadikun si fituese të teleskopit.
Por suksesi i këtij aktiviteti është vetëm një pjesë e misionit që Pranvera Hyseni po realizon prej vitesh. Përmes organizatës Astronomy Outreach of Kosovo, ajo ka organizuar dhjetëra aktivitete edukative, vrojtime publike të qiellit, ligjërata shkencore dhe projekte që kanë zgjuar interesimin e shumë të rinjve për astronominë.
Një ndër arritjet më të rëndësishme të këtij misioni është funksionalizimi i Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës në Rashincë të Shtimes, i cili tashmë është shndërruar në qendrën më moderne të edukimit astronomik në vend. Vetëm aktiviteti i Ditës Ndërkombëtare të Asteroidëve mblodhi rreth 700 pjesëmarrës, një numër që dëshmon rritjen e interesimit për shkencën dhe eksplorimin e universit.
Përveç angazhimit të saj në Kosovë, Pranvera Hyseni vazhdon aktivitetin shkencor edhe në arenën ndërkombëtare. Ajo ka ndërtuar observatorin e saj privat për astrofotografi, astrometri, spektroskopi dhe monitorim të qiellit, të pajisur me teleskopin Celestron RASA 8 f/2, një prej sistemeve më të avancuara për imazheri astronomike, duke kontribuar njëkohësisht në kërkimin shkencor dhe edukimin e brezave të rinj.
Pas shpalljes së fitueses, Hyseni shprehu mirënjohje të veçantë për kompaninë Celestron, e cila prej vitesh mbështet projektet e saj dhe zhvillimin e astronomisë në Kosovë.
“Celestronit nuk kemi me mujtë kurrë me i dalë prej hakut për krejt çka ka ba e vazhdon me ba për Kosovën. Falë tyre, gjithnjë e ma shumë të rinj po kanë mundësinë me u afru me astronominë dhe shkencën përmes teleskopit të tyre të parë. E gëzofsh teleskopin, Inara!”, shkroi ajo.
Historia e Inara Sadikut është dëshmi se pasioni për shkencën shpërblehet. Ndërsa puna dhe vizioni i Pranvera Hysenit po dëshmojnë se astronomia në Kosovë nuk është më vetëm një pasion i një grupi entuziastësh, por një realitet në zhvillim që po e lidh vendin tonë me komunitetin ndërkombëtar të shkencës dhe eksplorimit të universit.