Ilmi HFZ. Shefki Kallaba – Dritë dhe flijim në shërbim të arsimit, fesë dhe atdheut (01. 07. 1916 – 23/24. 12. 1944)
Në vigjilje të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, kujtojmë me nderim figurën e Ilmi Hfz. Shefki Kallabës, njërit ndër bijtë më të shquar të Roganës dhe të mbarë Anamoravës, i cili jetoi shkurt, por la pas një gjurmë të pashlyeshme në arsim, në jetën fetare dhe në përpjekjet kombëtare të kohës.
Ilmi Kallaba lindi më 1 korrik 1916 në fshatin Roganë (ish-Rogoçicë) të Komunës së Kamenicës. Ai rridhte nga një familje e njohur për përparim, atdhetari dhe revolucionarizëm. Babai i tij, Hafëz Shefki Kallaba, ishte pjesë e brezit të parë të mësuesve të besimit islam në Kosovë, i emëruar qysh në vitin 1913 nga Ministria e Arsimit në Beograd. I përkushtuar ndaj arsimit, ai e nxit Ilmiun të arsimohej më tej në gjuhën dhe kulturën shqipe.
Ilmiu kreu shkollën fillore në vendlindje, në të ashtuquajturën “Shkolla e Daskallit” të periudhës së Jugosllavisë mbretërore, përpara se të vazhdonte studimet në Medresenë “Isa Begu” të Shkupit, ku u diplomua në vitin 1936. Menjëherë pas studimeve kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Vinkovci të Kroacisë, të cilin e përfundoi më 1938 me gradën Nënoficer.
1 of 4




Mësuesi i përkushtuar dhe veprimtari i çështjes kombëtare
Me vendosjen e administratës shqiptare në Kosovë, pas prillit 1941, Ilmi Kallaba filloi të punonte si mësues në Roganë, më pas në Miresh (Dobërçan) dhe në Petrit (ish-Petrovc). Ai u angazhua fuqishëm në përhapjen e arsimit shqip dhe për forcimin e vetëdijes kombëtare në rrethin e Kamenicës dhe më gjerë.
Në shtator të vitit 1943 u emërua sekretar i Myftinisë së Nënprefekturës së Gjilanit, ku kryetar ishte patrioti i shquar Mulla Idris Gjilani. Të dy, medresistë të Shkupit, formuan një dyshe të rëndësishme në udhëheqjen fetare dhe në orientimin kombëtar të Bashkësisë Islame.
Gjatë viteve 1942–1943, Medreseja e Gjilanit funksiononte në Atik-Xhami, dhe pikërisht aty Ilmi Kallaba dha një kontribut të jashtëzakonshëm: propozoi futjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe të Historisë së Kombit në planprogramin e medresesë. Ky propozim u kundërshtua nga shumica e imamëve të rajonit, por gjeti mbështetjen vendimtare të Mulla Idris Gjilanit dhe efendi Haki Sermaxhajt. Falë këmbënguljes së tyre, u sigurua një fond i madh librash në gjuhën shqipe dhe si mësues i shqipes u emërua Malo Beci nga Shkodra.
Ilmiu ishte gjithashtu promotor i përhapjes së revistës “Kultura Islame”, botuar në Tiranë, duke sjellë risi kulturore, fetare dhe arsimore në rajonin e Anamoravës.
Në shërbim të atdheut, deri në sakrificën e fundit
Si sekretar i organizatës Balli Kombëtar, Ilmi Kallaba u angazhua në mbrojtjen e trojeve shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë arsye, për një periudhë ai la postin e sekretarit të Myftinisë dhe iu bashkua frontit të luftës si nënoficer.
Pas Luftës së Gjilanit, rifilloi punën në Bashkësinë Islame të Gjilanit, por regjimi serb, i cili po godiste sistematikisht figurat kombëtare shqiptare, e thirri për një “bisedë informative” në dhjetor të vitit 1944. Ai u arrestua, u torturua barbarisht dhe u masakrua natën mes 23 dhe 24 dhjetorit 1944. Varrin ende nuk ia di askush – një plagë e hapur për familjen dhe për kujtesën historike shqiptare.
Kujtesë e gjallë e rezistencës, dijes dhe dinjitetit
Kidnapimi dhe zhdukja pa gjurmë e Ilmiut la një enigmë të pazgjidhur deri më sot. Pas vetes ai la bashkëshorten Xhyheren – bija e patriotit Mulla Xhemail Veselit nga Breznica, një djalë dhe dy vajza – Muharremin, Sahadeten dhe Ismeten – të cilët, nën kujdesin e gjyshit Hfz. Shefki Kallaba dhe xhaxhait Fehmiut, u rritën dhe u shkolluan për të çuar përpara amanetin e tij për arsim e kulturë. Vajza e tij e vogël, Ismetja, ishte femra e parë nga Rogana që vazhdoi shkollimin në Normale të Gjilanit, duke u bërë mësuese e përkushtuar deri në pension. Ajo jeton edhe sot në Gjilan, krenare për veprimtarinë patriotike të babait dhe të gjithë familjes Kallaba.
Ilmi Hfz. Shefki Kallaba mbetet simbol i brezit që u arsimua për t’i shërbyer popullit, që u angazhua pa u lodhur për gjuhën dhe identitetin kombëtar dhe që, në fund, dha jetën për idealet e lirisë.
Në këtë Ditë të Flamurit, kujtojmë me nderim të thellë flijimin e tij dhe të të gjithë atyre që jetuan e ranë për Shqipërinë.
