Tiranë: Finalizohet operacioni “Hijet”, 2 të arrestuar për rrëmbim dhe dhunë
Në Tiranë është finalizuar operacioni policor i koduar “Hijet”, pas një kallëzimi për rrëmbimin dhe dhunimin e një 32-vjeçari.
Sipas policisë, tre persona dyshohet se e kanë marrë me forcë viktimën, e kanë mbajtur për disa orë në një ambient privat në Xhafzotaj dhe e kanë kanosur e dhunuar fizikisht, me qëllim përfitimi financiar.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy të dyshuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Po ashtu, janë sekuestruar 5 automjete, 5 telefona celularë, një shumë parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Policia bën të ditur se po vijon puna për kapjen e të dyshuarit në arrati dhe për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa materialet i janë kaluar Prokurorisë për procedura të mëtejshme.
