Lajm i trishtë: Shuhet shkrimtari dhe studiuesi Sherafedin Kadriu
Ka ndërruar jetë studiuesi, poeti dhe prozatori nga Gjilani, Sherafedin Kadriu, duke lënë pas një boshllëk të madh në jetën kulturore dhe letrare shqiptare.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij, të cilët kanë shprehur dhimbjen për humbjen e të dashurit të tyre, ndërsa për kohën e varrimit do të njoftojnë në vijim.
Kadriu ishte një figurë e përkushtuar e kulturës, i njohur për kontributin e tij në letërsi, studime letrare dhe trashëgimi kulturore. Ai u vlerësua edhe si “Shkrimtar i Vitit 2021” nga Ars Clubi “Beqir Musliu” në Gjilan, për veprat e tij të rëndësishme dhe qasjen profesionale në trajtimin e letërsisë dhe trashëgimisë.
Si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ai edukoi breza të tërë, ndërsa si studiues dhe krijues la pas një trashëgimi të çmuar që do të mbetet referencë për studiuesit dhe krijuesit e rinj.
Angazhimi i tij shtrihej edhe në fushën e trashëgimisë kulturore dhe në jetën publike e humanitare, duke qenë një zë i respektuar dhe frymëzues për shumëkënd.
Vepra dhe kujtimi i Sherafedin Kadriut do të jetojnë gjatë në kulturën shqiptare.
