Kamenica mban punëtori profesionale për organizimin e mësimit tërëditor në shkolla
Në organizim të Drejtorisë Komunale të Arsimit, në Kamenicë është mbajtur një punëtori profesionale kushtuar organizimit të mësimit tërëditor në shkollat e komunës.
Në këtë aktivitet morën pjesë stafi profesional i DKA-së, përfaqësues të institucioneve arsimore dhe grupe të tjera të interesit, të cilët diskutuan mbi hapat konkretë për zbatimin e këtij modeli të mësimdhënies.

Punëtorinë e vizitoi edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe kontributin e tyre në avancimin e procesit të mësimit tërëditor.
Rahimaj theksoi se mësimi tërëditor nuk nënkupton vetëm zgjatje të orarit mësimor, por një qasje të re ndaj edukimit, e cila u krijon nxënësve më shumë mundësi për të mësuar, zhvilluar talentet dhe për t’u përfshirë në aktivitete edukative, kulturore e sportive.


Edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Selami Klaiqi, vlerësoi kontributin e të pranishmëve, duke ritheksuar përkushtimin e institucionit për mbështetjen e iniciativave që synojnë rritjen e cilësisë në arsim dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë nxënësit.
Gjatë punëtorisë u prezantua edhe Plani Strategjik për mësimin tërëditor në shkollat fillore të Komunës së Kamenicës. Të pranishmit patën mundësi të dëgjojnë përvoja dhe rekomandime profesionale nga ekspertë të fushës, përfshirë përfaqësues të Institutit Pedagogjik të Kosovës, profesorë universitarë dhe drejtues shkollash që tashmë e zbatojnë këtë model.
Sipas organizatorëve, kjo punëtori përbën një tjetër hap konkret drejt zbatimit të mësimit tërëditor në shkollat e Komunës së Kamenicës.
