Inspektorët e Gjilanit gjobisin qytetarin për ndërhyrje në infrastrukturë komunale
Inspektorët komunalë në Gjilan po vazhdojnë kontrollet në terren, në bazë të ankesave të qytetarëve.
Drejtoria e Inspekcionit bën të ditur se një qytetar ka raportuar dëmtime në rrugën “Qarkore”, ku janë dëmtuar gypat e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Pas inspektimit në terren është konstatuar se është bërë ndërhyrje në infrastrukturën komunale, përkatësisht prerje e gypave të rrjetit të ujit dhe kanalizimit.
Për këtë shkelje, pala përgjegjëse është gjobitur me 300 euro nga inspektorët komunalë.
Ndërkohë, sipas Drejtorisë së Inspekcionit, pala tjetër e dëmtuar ka pasur leje për lidhje në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Nga kjo drejtori u bëhet thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe procedurat përkatëse, në të kundërtën do të ndërmerren masa ligjore.
