Hamza flet për takimin me Kurtin: Diskutuam për Specialen dhe presidentin, jo për emra konkretë
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka folur para nisjes së seancës së Kuvendit të Kosovës për takimin e së dielës me kryeministrin Albin Kurti.
Hamza tha se në takim janë diskutuar zhvillimet aktuale politike, përfshirë projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ai sqaroi se nuk është diskutuar për emra konkretë për presidentin.
Sa i përket projektligjit për Dhomat e Specializuara, Hamza tha se miratimi i tij është prioritet për PDK-në. PDK-ja e ka dorëzuar këtë projektligj në Kuvend më 21 shtator, duke propozuar ndryshime në kuadrin ligjor të Dhomave të Specializuara.

“Prioritet projektligji për Dhomat e Specializuara. Nëse kalohet ligji, këtë nuk po e them si detyrim, po e them si nevojë, nëse kalohet, jemi të hapur me diskutu temat tjera”, tha Hamza.
Ai shtoi se, nëse projektligji nuk miratohet, për PDK-në nuk ka çështje më të rëndësishme se kjo.
“Nëse nuk kalohet, nuk kemi temë më të rëndësishme se kjo”, u shpreh ai.
Hamza theksoi se kjo nuk duhet të konsiderohet si kushtëzim, por si një nevojë sipas tij në situatën aktuale politike.
