“Dëgjoje zërin e lirisë” – Bashkëshortja e Agim Ramadanit rrëfen momentet më emocionale nga fronti
Sot shënohen 27 vjet nga rënia e Heroit të Kosovës, Agim Ramadani. Në akademinë përkujtimore kushtuar tij, bashkëshortja e heroit, Shukrije Ramadani, ka ndarë kujtime emocionale nga periudha e luftës.
Ajo ka rrëfyer një telefonatë nga fronti, kur Agim Ramadani kishte hapur altoparlantin gjatë bombardimeve të para të NATO-s më 24 mars 1999, duke i përcjellë asaj zërin e luftës dhe të shpresës.
“Dëgjoje si janë jehonat e lirisë… i gjithë qielli është zbardhur nga forcat e NATO-s që po godasin”, ka kujtuar ajo fjalët e tij, duke theksuar se ai i kishte thënë se po e shihte lirinë duke ardhur.
Shukrije Ramadani ka folur edhe për një video që ka qarkulluar në rrjete sociale, ku dëgjohet Ramadani duke thënë “Fisnike, liria po vjen”, duke sqaruar se ajo ishte realizuar gjatë qëndrimit të tij të fundit në Zvicër, kur kishte shkuar për të siguruar ushtarë dhe armatim, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore.
Sipas saj, ai atëherë kishte qenë i sëmurë dhe i rraskapitur, por i përfshirë thellë nga zhvillimet në front, duke përfunduar me fjalët: “Fisnike, liria po vjen”.
