Kamenica përgatitet për 28 Nëntorin, ekspozitë kolektive me artistë në Shtëpinë e Kulturës
Komuna e Kamenicës, krahas aktiviteteve të tjera që po organizohen në nivel vendi, ka paraparë një program të veçantë për shënimin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit. Në mesin e aktiviteteve të planifikuara është edhe një ekspozitë kolektive, e cila do të sjellë së bashku krijues artistikë nga Kamenica dhe më gjerë.
Përgatitjet për këtë ngjarje kulturore tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Kamenicës, Afrim Dervishi, i cili përmes një fotografie të publikuar ka prezantuar disa nga përgatitjet aktuale në prag të festës kombëtare.
Dervishi ka konfirmuar se gjithçka është duke u përgatitur për pritjen e artistëve dhe vizitorëve, duke i ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje.

“Gjithçka gati për ekspozitën kolektive të artistëve kushtuar 28 Nëntorit. Ju mirëpresim!”, ka shkruar Dervishi.
Ekspozita do të hapet më 28 Nëntor, në ora 18:00, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës „Isa Kastrati” në Kamenicë.
Përmes kësaj ekspozite, festa e Flamurit do të shënohet edhe nëpërmjet artit pamor, duke u dhënë hapësirë krijuesve artistikë për të prezantuar punën dhe krijimtarinë e tyre para publikut.
