U mbajt mbledhja e dhjetë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa në Viti – Rekomandohen për votim emërtimi i teatrit “Jakup Jahiri” dhe asfalti i rrugës së UÇK-së
VITI, 19 Nëntor 2026 – Nën udhëheqjen e Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, është mbajtur mbledhja e dhjetë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF), ku janë shqyrtuar disa çështje me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e komunës.
Në fillim të mbledhjes, anëtarët e Komitetit shqyrtuan dhe miratuan procesverbalin nga mbledhja e nëntë e rregullt e KPF-së.

Më pas, Komiteti shqyrtoi propozim-vendimin për emërtimin e sallës së teatrit në Viti me emrin “Jakup Jahiri”, si dhe propozim-vendimin për shpalljen zonë me interes të përgjithshëm publik të paluajtshmërisë, pronë private e evidentuar në emër të Afrim (Latif) Zeneli.

Po ashtu u shqyrtuan:
- Propozim-vendimi për caktimin e lokacionit për varrezat në zonën kadastrale të Kabashit
- Propozim-vendimi për aprovimin e Planit të Punës së Kuvendit Komunal të Vitisë për vitin 2027
- Propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për formimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi
- Propozimi për shfuqizimin e vendimit të vitit 2006 lidhur me bartjen e së drejtës së shfrytëzimit të paluajtshmërisë – tokë në pronësi shoqërore të OP “Agromorava” në Viti, te Kryqi i Kuq Komunal në Viti
Në rend të ditës u trajtua edhe rishqyrtimi i ligjshmërisë së vendimit për vënien në diskutim publik të Projekt-Hartës Zonale Komunale të Vitisë 2026–2034.
Komiteti shqyrtoi edhe dy pika shtesë:
- Propozim-vendimin për heqjen e kalldrëmit ekzistues në rrugën e UÇK-së dhe shtrimin e saj me asfalt
- Memorandumin e mirëkuptimit mes komunave Viti, Gjilan e Kamenicë për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për strehimoren – Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Liria” në Gjilan, për periudhën trevjeçare 2027-2029
Pas diskutimeve, të gjitha pikat e parapara për votim morën mbështetjen e anëtarëve të Komitetit dhe u rekomanduan për procedim të mëtejmë në Kuvendin Komunal të Vitisë.
