Presidenti Begaj merr progres-raportin e KE-së: Shqipëria e përkushtuar për anëtarësim në BE deri në 2030
TIRANË – Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Presidenti Begaj e vlerësoi raportin e këtij viti si dëshmi të avancimit të vendit në procesin e integrimit dhe si një hap të rëndësishëm drejt objektivit historik të anëtarësimit në BE.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit i përcolli Ambasadores evropiane mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian ndaj Shqipërisë, si dhe për politikat pro zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti rikonfirmoi përkushtimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian në vitin 2030.
Në këtë kontekst, Begaj theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për lirinë e medias.
“Kreu i Shtetit ritheksoi se respektimi i sundimit të ligjit, funksionimi i institucioneve dhe dialogu demokratik mbeten thelbësore për realizimin e objektivit tonë strategjik të integrimit evropian”, përfundon njoftimi nga Presidenca.
