FOLIM – Dita e Shëndetit Mendor në Gjimnazin Shoqëror: “Të flasësh është guxim, të dëgjosh është kujdes”
Gjilan, 10.10.2026 – Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, në Gjimnazin Shoqëror në Gjilan u realizua një sërë aktivitetesh për ndërgjegjësimin dhe promovimin e mirëqenies mendore të nxënësve, nën moton “FOLIM – Sepse shëndeti mendor fillon kur flasim!”.
Përmes artit, ligjëratave dhe bashkëbisedimeve u krijua hapësirë për shprehjen e emocioneve dhe shkëmbimin e njohurive.
Art, ligjërata dhe diskutime të hapura
Aktiviteti nisi me një ekspozitë vizatimesh dhe mesazhesh nga nxënësit.

“Ekspozita e vizatimeve dhe mesazheve u dha nxënësve mundësinë të shprehin mendimet dhe emocionet përmes artit, duke përcjellë mesazhe mirëkuptimi, respekti dhe mbështetje”, thuhet në njoftimin e shkollës.
Ligjërata me psikiatren Dr. Diana Isaku ofroi informacione të vlefshme për rëndësinë e kujdesit për mirëqenien emocionale.
Ndërkohë, bashkëbisedimi me psikologen e shkollës, Fatlume Hyseni, krijoi hapësirë për diskutimin e emocioneve dhe sfidave të përditshme.
“U theksua rëndësia e komunikimit, dëgjimit dhe kërkimit të mbështetjes”.
Takime me ish-nxënëse dhe specialiste
Në aktivitet morën pjesë edhe ish-nxënëset e shkollës, psikologet klinike Ida Vokshi dhe Flutura Kurteshi, të cilat folën përballimin e stresit dhe kujdesin ndaj vetes.
“U theksua se të flasim për atë që përjetojmë është një hap i rëndësishëm drejt mirëqenies”.
Specialistja e psikologjisë klinike, Arta Hyseni Zeqiri, mbajti ligjëratën me temën “Përtej asaj që shohim”.
“Na rikujtoi se pamja apo sjellja nuk tregojnë gjithmonë çfarë përjeton një person. Dëgjimi, mirëkuptimi dhe shmangia e paragjykimeve ndihmojnë në krijimin e marrëdhënieve më të shëndetshme”.
Nxënësja Suela Osmani, në bashkëpunim me profesoreshën Alma Bajrami Ajeti, prezantoi hulumtimin “Paragjykimet dhe stereotipet shoqërore dhe ndikimi i tyre në shëndetin mendor”, ku u theksua rëndësia e informimit të saktë dhe pranimit të dallimeve.
“Shëndeti mendor meriton kujdes çdo ditë”
Të gjitha aktivitetet përcollën një mesazh të përbashkët.
“Shëndeti mendor meriton kujdes, vëmendje dhe mbështetje çdo ditë”.
Në fund, drejtoria e shkollës falënderoi drejtorin, profesionistet e ftuara, profesoreshat e psikologjisë dhe sociologjisë, psikologen Fatlume Hyseni dhe koordinatoren Njomza Hajrullahu për organizimin.
“FOLIM – Sepse të flasësh është guxim, të dëgjosh është kujdes dhe të kuptosh është mbështetje! Shëndeti mendor fillon kur flasim dhe forcohet kur dëgjojmë, kuptojmë dhe qëndrojmë pranë njëri-tjetrit”, përfundon njoftimi.
