GJILAN / PENSIONOHET PROFESORI I PIKTURËS RAMADAN ARIFI PAS 38 VJETËSH NË ARSIM
GJILAN, 8 Tetor 2026 – Pas një karriere të gjatë dhe të bujshme në fushën e arsimit dhe edukimit artistik, sot u pensionua profesori i Pikturës, Ramadan Arifi.
Me këtë rast, në Shkollën e Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan u organizua një takim solemn për nder të profesorit, ku morën pjesë kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq të tij.

“Ka lënë gjurmë në arsim dhe në art”
Drejtori i shkollës, Roland Masurica, në fjalën e tij tha se pensionimi është momenti kur mësimdhënësi sheh gjurmët që ka lënë gjatë rrugës.

“Ka momente në jetën e një institucioni kur fjalët duken të pamjaftueshme për të përshkruar atë që ndiejmë. Sot është një prej atyre momenteve. Pensionimi nuk është thjesht fundi i një orari pune. Dhe profesor Ramadan Arifi, përveçse ka lënë gjurmë në arsim, ka lënë gjurmë edhe përmes krijimtarisë së tij artistike. Ju keni qenë pjesë e një brezi të mësuesve dhe artistëve që e kanë mbajtur gjallë traditën e arsimit artistik në Gjilan” – u shpreh Masurica.
Fjalë vlerësuese për kontributin e tij dhanë edhe kolegët: Izeir Hyda, Rasim Vllasaliu, Rexhep Bunjaku dhe Muhamedali Rexhepi, të cilët theksuan rolin e profesor Arifit në edukimin e brezave dhe në art.

“Rrallëherë jam ndier kaq i emocionuar”
I emocionuar, profesori Ramadan Arifi falënderoi të gjithë të pranishmit.
“Prania juaj i ka dhënë madhështi këtij takimi. Rrallëherë jam ndier kaq i emocionuar sa sot” – tha profesori Arifi.
Në përmbyllje të takimit, Shkolla e Mesme e Arteve Pamore “Adem Kastrati” i ndau profesorit një mirënjohje dhe dhurata simbolike, në shenjë falënderimi për punën dhe përkushtimin e tij shumëvjeçar.

BIOGRAFI E SHKURTËR
Ramadan Arifi u lind më 8 tetor 1961, në Bilinicë të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në Bilinicë dhe Pogragjë, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, drejtimi arsimor-pedagogjik.
Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Arteve, drejtimi Pikturë, nën mentorimin e prof. Tahir Emra. Masterin e përfundoi me prof. Nagip Berisha.
Karrierën e nisi në vitin 1987 në shkollën fillore “Liria” në Pogragjë, ku punoi deri në vitin 1993.
Më 16 janar 2018 iu bashkua kolektivit të Shkollës së Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan, ku dha kontribut si profesor i Pikturës deri në ditën e sotme të pensionimit.
