Diskutohen reformat në shëndetësinë e Gjilanit, Komuna zhvillon takim me subjektet politike
Komuna e Gjilanit ka mbajtur një takim me përfaqësuesit e subjekteve politike për të diskutuar reformat e planifikuara në sektorin e shëndetësisë.
Gjatë takimit u prezantuan analizat dhe arsyetimet që mbështesin nevojën për riorganizimin e shërbimeve shëndetësore, me fokus në shfrytëzimin më efikas të burimeve njerëzore dhe materiale, përmirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbime, si dhe ngritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
Përfaqësuesit e subjekteve politike paraqitën qëndrimet, sugjerimet dhe vërejtjet e tyre, duke kontribuar në një diskutim të hapur dhe konstruktiv lidhur me procesin e reformave.

Nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u theksua se çdo reformë do të ndërmerret në interes të qytetarëve, duke u mbështetur në analiza profesionale, nevojat reale të popullatës dhe parimet e ofrimit të shërbimeve cilësore shëndetësore.
