Administrata e Gjilanit do të punojë edhe të shtunave për shkak të fluksit të bashkatdhetarëve
Me afrimin e sezonit veror dhe shtimit të numrit të bashkatdhetarëve që vijnë për pushime në Kosovë, Administrata e Komunës së Gjilanit ka vendosur të zgjerojë orarin e ofrimit të shërbimeve administrative.
Drejtoria e Administratës Publike ka njoftuar se, për shkak të fluksit të shtuar të qytetarëve që kanë nevojë të pajisen me dokumente të ndryshme zyrtare, duke filluar nga 4 korriku 2026, administrata komunale do të punojë edhe gjatë fundjavës, përkatësisht çdo të shtunë.
Sipas njoftimit, ky regjim pune do të vlejë deri më 29 gusht 2026, ndërsa orari i punës gjatë të shtunave do të jetë nga ora 10:00 deri në 14:00.
Drejtori i Drejtorisë së Administratës Publike, Elbasan Shabani, ka bërë të ditur se ky vendim është marrë për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesave të qytetarëve dhe bashkatdhetarëve gjatë periudhës së verës, duke mundësuar pajisjen më të shpejtë me dokumentet e nevojshme administrative.
