Përfundon segmenti i fundit rrugor Breznicë–Muhoc, hapet një perspektivë e re për Malësinë e Bujanocit
Kryetari Arbër Pajaziti: Një projekt i shumëpritur që do t’u shërbejë qytetarëve me kushte moderne dhe të sigurta për qarkullim
BUJANOC, 26 qershor 2026 – Ka përfunduar ndërtimi i rrugës Breznicë–Muhoc, një prej projekteve infrastrukturore më të rëndësishme për Komunën e Bujanocit, e cila pritet të vihet në funksion pas përfundimit të procedurave dhe punimeve teknike përfundimtare.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili e cilësoi këtë investim si një projekt të shumëpritur për banorët e kësaj ane.
“Rruga e re Breznicë–Muhoc po merr pamjen përfundimtare. Një projekt i shumëpritur që së shpejti do t’u shërbejë qytetarëve me kushte shumë të mira dhe të sigurta për qarkullim”, ka deklaruar Pajaziti.
Përveç rëndësisë infrastrukturore, kjo rrugë konsiderohet si segmenti i fundit që kompleton lidhjen rrugore nga qendra e Bujanocit, përmes Tërnocit dhe Breznicës, me fshatin Muhoc dhe më tej me Malësinë e Bujanocit, ku gravitojnë shtatë deri në tetë fshatra e lokalitete.
Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e lëvizjes së banorëve, duke e bërë më të lehtë dhe më të shpejtë qasjen drejt qendrës së Bujanocit, por edhe lidhjen me komunat fqinje në Kosovë, si Kamenica, Gjilani dhe Prishtina.

Njëkohësisht, rruga shihet si një nxitje e rëndësishme për banorët që janë shpërngulur nga Malësia drejt qendrave urbane, si dhe për mërgimtarët me prejardhje nga kjo zonë, të cilët tashmë do ta kenë më të lehtë lidhjen me vendlindjen dhe investimet në pronat e tyre.

Përtej lehtësimit të qarkullimit, projekti pritet të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të zonës. Një infrastrukturë moderne mund të shërbejë si bazë për zhvillimin e turizmit rural, promovimin e bukurive natyrore të Malësisë së Bujanocit, si dhe për tërheqjen e investimeve në sektorë me potencial, veçanërisht në përpunimin e drurit, bujqësi, blegtori dhe veprimtari të tjera prodhuese.
Banorët e kësaj ane e kanë konsideruar prej vitesh këtë segment si një ndër investimet më të rëndësishme infrastrukturore, pasi ai jo vetëm që përmirëson qarkullimin, por krijon edhe mundësi reale për zhvillim ekonomik, kthim të investimeve dhe ruajtje të lidhjes së Malësisë me qendrën e Bujanocit dhe rajonin.
