Gazetarja dhe kameramani i RTV Dukagjinit sulmohen gjatë punës në Gjilan
Një ekip i Radiotelevizionit Dukagjini, i përbërë nga gazetarja Blerta Zuka dhe kameramani Enkelej Shaljani, është sulmuar gjatë ushtrimit të detyrës në Gjilan.
Rasti raportohet të ketë ndodhur të enjten, më 25.06.2026, në kohën kur ekipi ishte duke realizuar një kronikë për punimet që po zhvillohen në sheshin e qytetit.
Sipas Drejtorit të Informacionit në RTV Dukagjini, Dibran Istrefi, sulmi ka ndodhur gjatë punës së ekipit në terren. Ai thekson se dyshohet që akti është kryer nga një punonjës i kompanisë së angazhuar në punimet në atë zonë.
Istrefi e ka dënuar ashpër rastin, duke e cilësuar si të papranueshëm dhe të shëmtuar. “Një gjë e tillë është e papranueshme dhe në thelb e shëmtuar”, ka deklaruar ai.
Deri më tani, për rastin nuk ka pasur ende reagim nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Ndërkohë, ka reaguar edhe vetë RTV Dukagjini, duke e cilësuar sulmin si cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve. Televizioni ka kërkuar nga institucionet kompetente që rasti të trajtohet me seriozitet dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi.
