Kampionët e FC Dritës priten nga kryetari Alban Hyseni, mes mirënjohjes dhe krenarisë për qytetin
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur sot kampionët e FC Dritës, në një takim që reflektoi respektin dhe vlerësimin për sukseset e klubit bardhekaltër.
Në pritjen e organizuar nga Komuna e Gjilanit ishte i pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, ndërsa nga FC Drita u shpreh mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme institucionale ndaj klubit dhe sportit në përgjithësi.

Nga klubi theksuan se Komuna e Gjilanit tashmë e ka kthyer në traditë mbështetjen për klubet e qytetit, sidomos në mbulimin e kostove të fazave përgatitore, një ndihmë e rëndësishme që ndikon drejtpërdrejt në organizimin, zhvillimin dhe përfaqësimin dinjitoz të ekipeve gjilanase.

FC Drita u shpreh krenare për përfaqësimin e qytetit dhe falënderuese për mbështetjen që po merr në rrugëtimin e saj drejt sukseseve të reja, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë mes klubit, qytetit dhe tifozëve.

