Biblioteka e Gjilanit pensionon Shpresë Hajdarin – një emër që i dha zë kulturës dhe qytetarisë për më shumë se katër dekada
Me emocione dhe respekt të veçantë, kolektivi i Bibliotekës së qytetit i dha lamtumirën institucionale një prej figurave më të përkushtuara të kulturës në Gjilan
Në një ceremoni të mbajtur sot nga kolektivi i Bibliotekës së qytetit në Gjilan, u përcoll në pension znj. Shpresë Hajdari-Vokshi, një nga emrat më të njohur dhe më të respektuar të jetës kulturore e qytetare të Gjilanit.
Shpresa kishte nisur punën si librare në Bibliotekën e qytetit qysh në vitin 1981, si një vajzë e re, e edukuar me frymë kombëtare dhe dashuri të madhe për librin, kulturën dhe artin. Që në rininë e saj, ajo kishte thyer shumë tabu të kohës, duke qenë aktive jo vetëm në bibliotekë, por edhe në jetën artistike e kulturore të qytetit.

Me role të ndryshme në Teatrin e Gjilanit dhe me angazhime në ansamblet kulturore, Shpresë Hajdari u bë pjesë e pothuajse çdo aktiviteti që lidhej me kulturën, edukimin dhe qytetarinë. Ajo ishte ndër gratë e rralla të kohës që mori përgjegjësi udhëheqëse dhe organizative në shumë sektorë të jetës publike në Gjilan.

Gjatë viteve të okupimit në Kosovë, ajo vazhdoi angazhimin institucional si pjesë e Komisionit Komunal për Kulturë dhe Sport, ndërsa më pas shërbeu edhe si drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan, si dhe anëtare e Kuvendit Komunal. Shtatë vitet e fundit të karrierës së saj i kaloi në sektorin e përpunimit të librit në Bibliotekën e qytetit, aty ku e kishte nisur rrugëtimin e saj profesional më shumë se katër dekada më parë.

Në ditën e pensionimit dhe ditëlindjes së saj, kolegët dhe bashkëpunëtorët e përshkruan Shpresë Hajdarin si “zërin më autokton të avancimit të kulturës dhe qytetarisë në Komunën e Gjilanit”, duke vlerësuar kontributin e saj të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe zhvillimin e jetës kulturore të qytetit.
Për më shumë se 40 vjet, emri i saj mbeti i lidhur me librin, skenën, qytetarinë dhe përkushtimin ndaj komunitetit.

Urime pensionimin znj. Shpresë Hajdari-Vokshi! Ju priftë mbarë kjo etapë e re e jetës, me shëndet, qetësi dhe lumturi pranë familjes.

