Përlepnica feston: ShFMU “Skënderbeu” shënon Ditën e Shkollës me program madhështor– raporton TV Gjilani
ShFMU “Skënderbeu” në Përlepnicë shënoi me krenari Ditën e Shkollës në Shtëpinë e Kulturës “Zijah Shemsiu”, në prani të nxënësve, prindërve dhe stafit arsimor.
Lajmin e bëri të ditur ish-mësimdhënësi i shkollës, aktualisht këshilltar komunal në Gjilan, Bujar Nevzadi.

Ai theksoi se nxënësit, përmes këngëve, valleve, recitimeve dhe pikave artistike, shfaqën talentin dhe shpirtin krijues që kultivohet çdo ditë në këtë institucion.
“Ky organizim ishte dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve”, ka shkruar Nevzadi, duke shtuar se atmosfera festive dhe entuziazmi i të pranishmëve e bënë ditën edhe më të veçantë.

ShFMU “Skënderbeu” ndër vite ka qenë jo vetëm vatër e dijes, por edhe vend i organizimeve të shumta për Përlepnicën, Gjilanin e më gjerë. Nga bankat e saj kanë dalë kuadro të dalluar që kanë dhënë kontribut të çmuar në mbarë Kosovën dhe më gjerë.
“Urime Dita e Shkollës për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit! Suksese të vazhdueshme në rrugën e dijes dhe arritjeve!”, përfundon urimi i këshilltarit Nevzadi.

