Policia: Mbi 2,400 gjoba dhe 64 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë – një rast me fatalitet
Mosrespektimi i rregullave të trafikut vazhdon të mbetet një ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve të shpeshta në vend. Autoritetet po përpiqen të ndikojnë në parandalimin e tyre përmes masave ndëshkuese ndaj shkelësve, por shifrat mbeten shqetësuese.
Sipas të dhënave të fundit, vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shqiptuar gjithsej 2,411 gjoba trafiku nga Policia e Kosovës, duke reflektuar numrin e lartë të shkeljeve në komunikacion.
Në të njëjtën periudhë kohore janë regjistruar 64 aksidente trafiku. Prej tyre, 13 kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 51 raste kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Fatkeqësisht, njëri nga aksidentet ka rezultuar me humbje jete.
Raporti policor bën të ditur gjithashtu se gjatë kësaj kohe janë arrestuar 17 persona. Prej tyre, tetë janë dërguar në mbajtje, ndërsa një person është dërguar për vuajtje të dënimit.

