Në kuadër të Javës së Frankofonisë në UKZ u mbajt sesion informues për studime në Francë
Në kuadër të shënimit të Java e Frankofonisë në Kosovë, në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur një sesion informues mbi mundësitë e studimit në Francë.
Ky aktivitet u realizua nga përfaqësues të Ambasada e Francës në Kosovë dhe Campus France, të cilët prezantuan para studentëve informacione të detajuara lidhur me sistemin e arsimit të lartë në Francë, programet e studimit, bursat e disponueshme, procedurat e aplikimit, si dhe jetën studentore në këtë vend.

Gjatë prezantimit u theksua se sistemi universitar francez ofron programe në tri cikle kryesore: Bachelor (180 ECTS, 3 vite), Master (120 ECTS, 2 vite) dhe Doktoraturë (3–5 vite). Po ashtu, u sqaruan edhe tarifat e studimit, të cilat ndryshojnë për studentët nga BE dhe jashtë saj, ndërsa u bë e ditur se një kategori studentësh përfitojnë studime pa tarifa, përfshirë përfituesit e bursave qeveritare apo universitare dhe ata që janë pjesë e programeve si Erasmus+.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe mundësive për ndjekjen e studimeve në gjuhën angleze, ku u theksua se ekzistojnë mbi 1600 programe të ofruara plotësisht ose pjesërisht në anglisht, ndërsa për programet në gjuhën frënge kërkohet niveli B2/C1, i certifikuar përmes provimeve DELF/DALF nga France Éducation International.

Pjesëmarrësit u informuan edhe për procedurat e aplikimit, afatet kohore për secilin nivel studimi, si dhe për mundësitë e shumta të bursave, përfshirë programet për studentë të shkëlqyer në nivelin Master dhe Doktoraturë, si dhe skemat ndërkombëtare si Erasmus Mundus.
Sesioni ishte i hapur për studentët e të gjitha drejtimeve dhe ngjalli interes të madh, duke ofruar një mundësi të mirë për informim të drejtpërdrejtë mbi studimet dhe zhvillimin akademik në Francë.








