Xhevdet Kallaba – Fjalë rasti në përurimin e monografisë “Veteranët e Shëndetësisë së Anamoravës”
Nga redaktori Xhevdet Kallaba
25 tetor 2025
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur mjekë, miq e dashamirë të librit,
Sot jemi mbledhur për të përuruar një vepër që nuk është vetëm një libër, por një monument kujtese – një shenjë mirënjohjeje dhe nderimi për ata që ndërtuan themelet e shëndetësisë sonë me dije, përkushtim dhe sakrificë.

Shkruan: Xhevdet Kallaba
Monografia “Veteranët e Shëndetësisë së Anamoravës”, e autorit Dr. Xhavit Hajdari, lindi nga dëshira e tij e sinqertë për t’u dhënë vendin e merituar mjekëve që, me zemër e me shpirt, i shërbyen njeriut dhe komunitetit.
Biografitë që përfshihen në këtë vepër nuk janë vetëm rrëfime individuale – ato janë pjesë e kujtesës sonë kolektive, pjesë e historisë së qytetit dhe e Anamoravës. Çdo faqe ruan frymën e një humanizmi të madh, ku mjeku shihet jo vetëm si profesionist, por si njeri që jeton me hallet, dhimbjet dhe shpresat e popullit të vet.

Në këtë monografi janë përfshirë 112 biografi mjekësh veteranë – emra që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë.
Në fakt, dy prej këtij numri nuk arritën ta përmbyllnin rrugëtimin e tyre akademik drejt titullit të mjekut, për shkak të rënies së tyre në altarin e lirisë, gjatë luftës së fundit në Kosovë: Alban Ajeti nga Gjilani dhe Ismajl Ismajli nga Kopërnica e Dardanës, të cilët me të drejtë u shpallën Dëshmorë të Kombit.
Megjithatë, fryma e tyre e angazhimit dhe përkushtimi në shërbim të jetës gjatë luftës ishte sikur të ishin mjekë të vërtetë, të përkushtuar ndaj detyrës humane deri në frymën e fundit.
Sigurisht, mund të kenë mbetur jashtë disa që, për arsye të ndryshme, nuk kanë arritur të dërgojnë të dhënat e tyre. Por, libri mbetet një bazë e fortë, një themel që mund të zgjerohet në të ardhmen me botime plotësuese.
E rëndësishme është që sot kemi para vetes një arkiv të gjallë të shëndetësisë sonë – një testament të brezave që punuan me ndërgjegje e me dashuri për profesionin.
Kjo monografi është, në radhë të parë, një shenjtërim i kujtesës – për ata që nuk kursyen as ditë, as natë, në shërbim të tjetrit. Është nderim për ata që përballuan mungesa, padrejtësi e sfida të panumërta, por nuk u dorëzuan kurrë. Rruga e tyre mbetet një shembull frymëzimi për gjeneratat e ardhshme të mjekëve, për studentët e rinj që do të ecin në gjurmët e tyre.
Dua të falënderoj me përzemërsi të gjithë mjekët që nuk janë më në jetë, si dhe familjarët e atyre, të cilët ndanë me autorin kujtimet, të dhënat dhe historitë e tyre. Falë këtij bashkëpunimi, sot kemi një dëshmi të vlefshme për historinë e mjekësisë në Anamoravë dhe më gjerë.
Rëndësia e kësaj vepre është e shumëfishtë: ajo ruan kujtesën, frymëzon përkushtimin dhe forcon identitetin profesional e etikën mjekësore. Përmes këtyre biografive, kuptojmë jo vetëm zhvillimin e shëndetësisë, por edhe jetën shoqërore e kulturore të këtij rajoni – lidhjen e mjekut me komunitetin, me arsimimin, me humanizmin dhe solidaritetin njerëzor.
Edhe pse unë, si redaktor, nuk vij nga fusha e mjekësisë, ndjej se jam thellësisht i lidhur me këtë histori. Kam pasur fatin t’i njoh shumë prej këtyre mjekëve personalisht, të shoh nga afër përkushtimin e tyre dhe ndikimin që kanë lënë.
Angazhimi im në këtë projekt ka qenë plotësisht vullnetar – si shenjë respekti për figurat që përbëjnë identitetin dhe kujtesën tonë kolektive.
Në dekadën e fundit, si kronist i jetës kulturore e shoqërore të Anamoravës, kam mësuar se çdo histori që dokumentohet është një dhuratë për të ardhmen.
Ky bashkëpunim është dëshmi e mirë se kur arti, kultura dhe kujtesa historike bashkohen, lindin vepra që i japin vlerë qytetit dhe shoqërisë sonë.
Prandaj, ky libër është shumë më tepër se një përmbledhje biografish – është një mirënjohje për jetën, për profesionin dhe për njeriun.
Duke e përuruar këtë vepër, ne i përulemi me respekt gjithë atyre që e kanë bërë shëndetësinë e Anamoravës një histori të dinjitetit, sakrificës dhe dashurisë për njeriun.
Ju faleminderit të gjithëve që jeni këtu për ta ndarë këtë ditë nderimi dhe kujtese.
