Rikthehet lëvizja normale në kufi me Maqedoninë e Veriut, zgjidhet problemi në sistem
Pas disa problemeve teknike që shkaktuan vështirësi në regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve, tashmë është normalizuar plotësisht qarkullimi në pikat kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka konfirmuar se defekti në sistemin elektronik është eliminuar dhe se evidenca e udhëtarëve dhe automjeteve po funksionon sërish pa pengesa.
Sipas autoriteteve, sistemi është rikthyer në operim në të gjitha pikat kufitare, duke mundësuar procedura normale dhe më të shpejta për qytetarët që kalojnë kufirin.
Institucionet përgjegjëse kanë bërë të ditur se situata tashmë është stabilizuar, ndërsa qytetarët mund të drejtohen te Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar për çdo informacion shtesë lidhur me qarkullimin dhe gjendjen në kufi.
