Galatasaray nuk ndalet: Përmbys dramën ndaj Antalyaspor dhe vulos titullin e Turqisë
Galatasaray ka konfirmuar edhe një herë dominimin absolut në futbollin turk, duke u shpallur kampion i Superligës pas një fitoreje spektakolare ndaj Antalyasporit.
Skuadra nga Stambolli kaloi një mbrëmje plot tension, pasi u gjend dy herë në disavantazh, fillimisht 0-1 dhe më pas 1-2. Megjithatë, reagimi i kampionëve ishte i jashtëzakonshëm, duke përmbysur gjithçka për një triumf të madh 4-2.
Njeriu i ndeshjes ishte Victor Osimhen, i cili shkëlqeu me dy gola vendimtarë, ndërsa në listën e realizatorëve u regjistruan edhe Lemina dhe Ayhan.
Me këtë fitore, Galatasaray arriti në kuotën e 77 pikëve dhe, falë diferencës ndaj Fenerbahçes si dhe faktit që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar, siguroi matematikisht titullin kampion.
Ky sukses vetëm sa e forcon epokën dominuese të Galatasarayt në Turqi. Klubi stambollit tashmë ka fituar katër tituj radhazi dhe numëron plot 26 trofe kampioni në histori.
Pas festës së madhe, drejtuesit pritet të fokusohen menjëherë te merkatoja verore, me synimin që Galatasaray të vazhdojë sundimin në futbollin turk edhe sezonet e ardhshme.
