Nexhat Rexha – THELLËSIA E INTONACIONIT NË INTUITËN ARTISTIKE
(Naime Beqiraj “Mos i kallxo harrimit” Prishtinë, Botoi, “Koliqi” 2026, fq. 155).
Përmbledhja me poezi ” Mos i kallxo harrimit”, e Naime Beqirajt është artikulim i gërshetimit mes kohëve të krijimit të një sinteze të avancimit kulturor, në konfigurimin e të shkruarit afirmativ për fjalën artistike.
Përmbajtja në tërësinë tekstit ka të dimensionuar, përqendrimin, drejtpeshimin e baraspeshuar në shtrirje të juridiksionit burimor, e në ruajtje të identitetit kolektiv.. E gjithë kjo gamë poetike determinon preokupimin e autores në ruajtje të lashtësisë. gjuhësore dhe fatit të kolektivitetit shoqëror.

Në pjesën e parë libri përfshinë paradigmën poetike, e cila në vete ka hyrje daljet sizmike, ato të japin dritën dhe shpresën, njëkohësisht të marrim ngatërrimin për të sjellë dashurinë e një mëngjesi diellor. Në këto vargnime poetike Naimja, ka determinuar ravijëzimet poetike në galerinë e peizazheve të brendshme , brenda tërësisë së këtij kapitulli. Në këto shtrirje artistike, rrjedha e konfigurimit poetik lidhë të përditshmen me realen, si metaforë e ndërmjetësimit, për të ndriçuar të padukshmen në përditshmërinë e botës njerëzore. Në këto depërtime , magjia e fjalës të ofron të bukurën e kërkuar, ajo është vetë jeta ,është vetë shpirti poetik i saj. Në këto bukuri të kurtheve, poetja krijon asocimin në kërkim të vargut, si amshueshmëri përtej të sotmes, ku mund të arrijë shpalosja e poezisë ,brenda tjetërsimit artistik. Në këto destinacione, që krijon jeta, vetë arti poetik, të krijon njohjen e rrethanës kohore dhe të ofron zbërthimin kërkues nëpër mrekullitë e zjarrmisë poetike, që braktisja të jep e të merr atë që njeriu e zjarrmon brenda shpirtit të tij.
Poezia e Naimes, shfleton jetën, si gjethet e vjeshtës, ajo të jep ditët dhe koha me ndryshimet e saj, që kanë krijuar pagjumësinë poetike, si refleksion kërkues në poetikën e sistemuar, si trokitjet e zemrës, ato krijojnë qëndrueshmërinë mes veti për të konkretizuar kurthet e vetmisë, në realitet këto kurthe janë vetë zgjidhja e enigmës që krijon përditshmëria.
Në këto ravijëzime poetike laryshia e fjalëve artikulon e ,krijon ngritjen e cilësisë së vargjeve, ato brenda vetes bartin imazhin dhe të japin parafytyrimin e ngjyrosur më shijen estetike brenda këtij areali poetik. Qënë poezinë e parë “Andrrën kqyrë ta kam” libri ” Mos i kallxo harrimit”, sikur merr uratën për shtegtim të mbarë e lexim të pranueshëm. Autorja përmes vargjeve , ka shkrirë botën nga realiteti në ëndërr dhe si testament reflektues orienton në kërkim të shpërfaqjes së ëndrrësꓽ
E kur sytë e humbin
Betejeën me gjumin
Kam me të vdekë prej rrëmuje
Që nuk të qita në dritë Andërr andrra
Poezia e Naimes, brenda tërësisë së vargjeve ka ndërthurjet, që prekin të gjitha momentet, ëndrrat tona, ato janë vetë frymëmarrja e jetës së përbotshme, e këto frymëmarrje të japin ndjeshmërinë në përjetim të artit dhe të vetë prodhimit të natyrshëm ,edhe si kontrast, edhe si dukuri, edhe si objektivë për të domosdoshmen.
Përvoja dhe refleksionet poetike në vepër, krijojnë botën e prehjes për lexuesin, ato vijnë me artefaktet e ruajtura nga lashtësitë e pamohueshme për të krijuar identitete njerëzore dhe kulturore. Në këto përvijime Naimja ka arritur të rezultojë natyrshëm , mesazhin përmes fiksionit modern ,duke ndarë të ndërlikuarën kah e mundshmja ,e që kjo rezulton përmes parashtrimit lirikë të paraqitjes sa më origjinale të figurshmërinë artistike, të cilat brumosin artshkruarjen si dashuri për të konkretizuar aspektet e veçanta në harmonizim të përafruar për të bukurën e gdhendur në vargjet poetike. Kur liria mbetet shtylla e paprekshme e shpirtit poetik të saj.
Flijimi yt
Për me ardhë
Sado vonë
Me të rrëmby
E mos me të pasë
Si gjak i lirisë
Secila fije po e ndërron ngjyrën
Pa u shkri në tjetrën
Mos`harresa është e vetjma shenjë identifikuese që ka krijuar pena e njeriut poet. Në këto komunikime kohësh, ruhen synimet dhe objektivat e një kulture, që ka ofrua pamjet më të ndjeshme të peizazheve korresponduese me bukuritë që prodhon poezia.
Është e kuptueshme se bota e idilit, ka nivelizuar pafajësinë e lumturisë, për të konkretizuar fatin në harmonizim të mirëfilltë. Naime Beqiraj, gjithnjë ka manifestuar fillin e të bukurës në vargje, për t`i dhënë ngjyrimin sa më të pranueshëm , ky ngjyrim shpalos parafytyrimin e brendshëm në kërkim të lirisë shpirtërore dhe i jap poezisë kompozimin melodik, si pararoje dhe si identititet frymëzues për të madhërishmen në aspiratat e kërkuara si realizim i pritjeve të ëndërruara.
Dashuria njerëzore është himn që ka pritjen e konsiderueshme në themele të thella të parafytyrimit. Këto tabllo janë vetë e përditshmja që e rrethon njeriu vetveten, me iluzionet e jetuara brenda reflektimeve që kanë strehimore të pambarim në pamjet e pafundme, kur sytë nuk shterojnë dritën e tyre. Kurse zjarrmia e brendshme ruan flijim për të mundur pritjen në sforcim të fisnikërimit sa më të favorshëm për të konkretizuar botën magjepse, si dhe për të përmbushur kërkesat shpirtërore.
Valentin i Shenjtë asht puthja
E vjedhun në shi
Një dorë vaj e një jetë psalm
Parajsa për me kundërshtue
E falja pa asnjë ngjyrë, kusht
Asht folja
Kur e mban të papeng
Të thanmen
E pranismueme.
Këto dhe vargje tjera janë stolia më bukur që kuvendojnë me pritjen për të konfirmuar ardhjen e vonuar. Autorja ka destinacionet e saj për tejkaluar kufizimet e natyrshme, ajo krijon mundësi përmes idesë, afirmimin e qëndrueshëm artistik, si vlerë të pranueshme brenda vetë tekstit poetik, kjo edhe i jep qëndrueshmëri sa më funksionale tekstit dhe lexuesit.
S`kanë me shku ditë
E ke me ardhë
Përmbys
Prej udhës gjatë
Erën e lodhjes me ta ndëgju
Larg
Vrap kam me u nisë
Me të ba strehë
Në qerpikët e mi.
Në realitet jeta krijon magjinë e të bukurës, kurse poezia e skalitur në vargje ruan magjinë , kur mendimi artistik peshon pikat me dridhëse të zemrës dhe pastaj vetëm përjetimi bartet nga prodhimi origjinal në ruajtje të zërit poetik, deri në mëvetësinë burimore të artit nga rrjedhin vargjet , që përfaqësojnë botën poetike, si vlerë dhe testament transmetimi në ruajtjen e vlerave sa më universale të kulturës nga vjen autorësia .Këtë prodhim artistik Naimja, e ka arritur me të gjitha vlerat brenda tekstit poetik;.
Libri është i pasur me kompozita, ato krijojnë nivelizimin artistik të dëshirueshëm në poezi.
Poetika e Naimes, ka ndërthurje të veçanta, sepse stili dhe figuracioni i përpunuar, plotëson idejshmërinë në transformim sa më funksional në koordinim të shprehjes, dhe vë atë në binarë të lëvizshëm, mendimin artistik, duke i dhënë fuqi e lidhshmëri vargut brenda krijimit poetik. Këto ndërtime, janë shkrirja e idesë imagjinative në arritshmërinë e cilësisë sa më estetike në konfiguracionin e tërësishëm poetik..
Ekzistencialja në imazhet përtej qenësisë
Poezitë e këtij vëllimi paraqesin edhe kompleksin e ndërtimeve të thelluara, ato vijnë si relikte të brumosura nëpër hallkat zinxhirore që kanë bartur fatin e njerëzimit, e në këtë kontekst të qenësisë Naimja, ka depërtime të përmbushura të këtyre persiatjeve poetike.
Përvoja në kërkim të së bukurës, sikur e ka bërë meditimin sa më konkretizues dhe përgjegjës për çdo vargnim, e për çdo ide në realizim të krijimeve artistike.
Në këtë rrafsh, komunikimi ajo ruan hapërimin me botën, saktëson përditshmërinë e ndjeshme me karakterin e botës, që e rrethon njeriun.
Në këto shtrirje kohësh , relacionesh, të vërtetat e kërkuara në poezinë e këtij libri parashtrojnë kërkesat në arteriet e vazhdueshme, ato të japin kristalin e brendshëm, brenda tërësisë së ideve dhe nxisin intelektin për të kërkuar atë që parashtron autorja.
”Mos i kallxo harrimit”, është poezi e shtrirjes në rrafshin e të vërtetave që ka prodhua jeta e njeriut, vendlindja dhe kujtesa, ato bartin të vërtetat që në shumë raste përsërisin, veprimet e njerëzve, pastaj ato krijojnë shtratin e tyre trashëguese.
Naimja, në këto figurshmëri ka krijuar artin e saj me frymën lirike, për t`i dhënë lexuesit elitar vëmendjen e brendshme poetike, duke i dhënë konkretizimit melodinë edhe për brezat që vijnë.
Në poezinë :”Thehesh e nuk thahesh”, në mes idesë dhe dendësimit kohor poezia merr cilësimin e qëndresës, duke aluduar në kohët e acarta që, njeriu dhe fati janë grindur. Në këto vibracine, njeriu i saj , gjithnjë, ka institucionalizuar kompleksitetin ekzistues së tij, kjo qëndrueshmëri është e pranishme në virtytet e njeriut që nuk heq dorë nga aspiratat e tija.
Paj, njësoj nuk asht
Si me të pasë thy era
Me të shitu vetëtima
E prap me të kthy
Në hanë të njëjtë
Dhe nga kjo poezi vjen edhe titulli i librit, pra, lashtësia depërton në ritualin artistik me vlerë dhe determinim të qëndrueshëm, e në cilësim të arritshëm përtej urtisë në ruajtje të besës, aty ku fjala dhe djersa shfaqin dukshmërinë e tyre. Origjinaliteti i krijimit poetik i Naimes, të orienton në kërkesat e krijimit nga vargu i parë gjer tek procesi i përfunduar krijues.
Në leximin e parë poezia e këtij vëllimi të shton kureshtjen për të arrirë në kërkesat e kontrastit të tradhtisë e lirisë. Mirëpo, figurshmëria metaforike me fjalët e zgjedhura të ofrojnë, hyrjen dhe daljen nga terri i një skene që ka krijuar koha e padëshirueshme gjatë sundimeve të gjata.
Dashni plot
A me u tha me trup
A me shkelë mbi ujë
Të tjerat mos
Mos i kallo harrimit
Edhe pjesa tjetër e poezive të këtij cikli, janë shkrirë në këtë frymë sa artistike, po aq filozofike, të cilat bartin mesazhe të rrezatimit në anatemimet e kohëve, të cilat fuqizojnë verdiktin e kërkuar brenda meditimit dhe latimit poetik, në ndërtim të fjalës dhe idesë së fuqishme të semantikës së artikuluar në mbarështrimin, preokupimin e librit ,si tërësi përmbajtësore.
Poezia e Naime Beqirajt, është poezi refleksive, e cila nuk të jep shpjegimin, ajo të afron meditimin kërkues, e cila të preokupon në kontinuitet të përditshmërisë, vargu i saj është i pavarur, dhe saktëson prioritetet e botës shpirtërore, si njohje dhe si kërkesë për të stabilizuar mendimin për të nesërmen.
Libri është i shkruar në të folmen gegnishte, çka konsideroj se autorja ka begatur thesarin e fjalës, në ruajtje e ripërtritje të nevojshme të pasurimit të gjuhës standarde.
Në këtë kontekst, ajo ka vë në funksion koordinatat tematike, si dhe ka arritur t`i orientojë ato në prizmin e koduar përmes gjuhës figurative, duke i dhënë theksimin origjinal shtrirjes tingullore, gjithnjë, duke përforcuar shtjellimin e tekstit poetik.
Njëkohësisht, vepra ka vlerë të dyanshme në këto rrafshe, sepse përkushtimi e përgjegjësia për artin kërkon njohje e gdhendje të shkrimit estetik. Këtë objektivë autorja e ka saktëstuar nga libri i parë gjer tek kjo vepër, e cila kërkon vëmendje e vlerësim për njohësit e letërsisë së sotme shqipe.
Konsideroj se vëllimi poetik ”Mos i kallxo harrimit”, këtë vit ka dhënë ekzemplarin e bukur si vlerë të dalluar estetike në letrat shqipe.
Tërësia e librit të ofron kuptimësinë e fjalës së lirë, në ndërtimin e skalitur artistik, gjithnjë, duke krijuar reflektimin në thellësi të qenies njerëzore, përmes figuracionit artistik dhe simbolikës së zgjedhur në dhënie të imazhit dhe fuqisë së mesazhit.
Vepra ka shtrirjen universale të akceptimit në veçantitë e saja brenda tekstit poetik. Natyrshmëria e trajtueshmërisë së poezive në të gjitha variantet, merr e jep frymëmarrje të lirë, çka e bënë veprën më funksionale në lexim dhe kërkim të thellësive artistike, si dhe shpërndanë tingëllimën e melodisë identifikuese në kozmosin e koordinatave të korrespondimit ekzistencial.
Gjilan, 31 tetor 2026
( Kumtesë e lexuar në veprimtarinë e dytë të “Vjeshtës letrare …” në Gjilan, më 31 tetor 2026, ku u vlerësua vepra më e re e poetes së njohur, Naime Beqiraj)
