Wednesday 3 June 2026
Advertisement
Advertisement
TV Gjilani TV Gjilani
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
    • Basketboll
      • NBA
      • Superliga e Kosovës
    • Futboll
      • Superliga e Kosovës
      • Champions League
      • Europa League
      • Konferencë League
  • Kulturë
    • Teatër
    • Film
    • Letërsi
    • Arte Pamore
  • Shëndeti
  • Marketing
    • Automjete
    • Banesa
    • Konkurse
    • Lajmërime
    • Lokale
    • Njoftime
    • Pajisje teknologjike
    • Shitëblerje
    • Shpallje
    • Shtëpi
    • Telefona
    • Troje
logo
Edit Content
TV Gjilani TV Gjilani
  • most recent news
  • trending news
  • most read
  • All Video
  • Image gallery
  • more
Teknologji

Amazing Model On Site

15 June 2021
Teknologji

Victoria’s Secret Afterparty Goes

15 June 2021
Teknologji

Sisters Land Fashion Role

15 June 2021
Teknologji

Beauty Model Working on

15 June 2021
Teknologji

Best Dressed Men in

15 June 2021
Sport

Të dielën do të

8 July 2021
  • Accessibility
  • Help
  • Contact
  • About qoxag

Lajmi i Fundit

Shkruan Sabit Rrustemi: Lexim kritik i vëllimit poetik “Mes gurësh përkunden ëndrrat” të Nexhat Rexhës

Sinan Vllasaliu pritet të performojë në dasmën e Dua Lipës

Bresalci mirëpret Glauk Konjufcën, Alban Hysenin dhe kandidatët e LVV-së

Drenushë Maloku Bejtullahu synon të përfaqësojë qytetarët me vlera dhe përkushtim

Pensionohet Xajë Mustafa – njeriu që me një fotografi i tregoi botës dhimbjen dhe shpresën

Parashikimi i motit për të martën, 02 qershor 2026

Rruga që pritet t’i japë hov zhvillimit të Karadakut të Kamenicës po merr formë

Festivali Mbarëkombëtar “Mollëkuqet 2026” mbushi Gjilanin me talent, emocion dhe magjinë e fëmijëve

LDK fton qytetarët në tubimin e madh elektoral në Gjilan

Arbëria mobilizohet për tubimin qendror të PDK-së në Gjilan

 Shkruan Sabit Rrustemi: Lexim kritik i vëllimit poetik “Mes gurësh përkunden ëndrrat” të Nexhat Rexhës
Arte tjera Kulturë Lajme Letërsi

Shkruan Sabit Rrustemi: Lexim kritik i vëllimit poetik “Mes gurësh përkunden ëndrrat” të Nexhat Rexhës

3 June 2026 0 Comment 33 min read

AA

Duke e lexuar dhe shijuar librin më të ri poetik të Nexhat Rexhës, “Mes gurësh përkunden ëndrrat”, botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, mars 2026.

Vëllimi më i ri poetik i Nexhat Rexhës, “MES GURËSH PËRKUNDEN ËNDRRAT”, konceptohet dhe ndërtohet përmes gjashtë cikleve, të cilat së bashku përbëjnë ngrehinën më të re poetike të këtij autori, ngrehinë kjo që vjen më e konsoliduar, falë shprehjes poetike, figuracionit artistik dhe kuptimësisë së vargut.

Lidhshmëria e cikleve brenda vetë veprës është shumë e natyrshme. I karaketirzon e njëjta gjuhë dhe frymë poetike, përmes ngjyrash të nduarduarta, nga njëra poezi në tjetrën, ku lexuesi përjeton një kënaqësi të veçantë shijimi, duke u përkundur mes gurësh e ëndrrash e frymëzimesh të reja poetike, të cilat, me bukurinë e tyre, e tërheqin dhe për një lexim të dytë lexuesin po, edhe studiuesin.

Duke realizuar një “shetitje” leximi e shijimi nëpër cikle, mund t’i nxjerrim këto përfundime, nisur që nga cikli i parë e deri te ai i gjashti, me të cilin edhe përmbyllet kjo përmbledhje poetike.

“Frymëmarrje atdheu”,

është dhe cikli hapës I kësaj përmbledhje, e cila njëhësisht edhe shënon 70 vjetorin e këtij autori. Nëpër 16 pjesët poetike – poezitë e kësaj vepre, poeti Nexhat Rexha shpalos dimensionin më të drejtpërdrejtë atdhedashës dhe historinë e vendit të tij. Atdheu I tij – Kosova, shfaqet si qenësi e gjallë, si frymë dhe si plagë e hapur e kujtesës kolektive. Në këtë cikël, poezia shndërrohet në dëshmi dhe reflektim mbi fatin historik të popullit, mbi lirinë dhe mbi dhembjet që e kanë shoqëruar atë, natyrisht përmes një gjuhe poetike që gjithnjë shpërfaq art dhe krejtë atë që e ndjenë, pa farë patetizmi, po me një gjuhë poetike, e artikullon artist rryer i skenës letrare .

Atdheu i Nexhat Rexhës nuk paraqitet vetëm si hapësirë gjeografike, por si përjetim i thellë emocional dhe historik, si identitet dhe ekzistencë shpirtërore nëpër kohë, që nga antikiteti i hershëm e deri në ditët e sotshme. Ai është një tërësi e pandashme, një trup i gjallë që merr frymë përmes kujtesës, sakrificës dhe rezistencës së brezave. Në këtë mënyrë, ky atdhe shndërrohet në një koncept të shenjtë poetik, i lidhur ngushtë me jetën dhe vdekjen, me lirinë dhe robërinë dhe krejtë atë që e përjetoi.

Sytë janë ngrirë në brendi të lisit

dhe brenda trupit kanë hyrë insekte

ato pamëshirshëm presin gjymtyrët

si sopatë që shkallon rrënjët.

(Sy e vesh në pritje për ty, faqe, 10)

Një element i rëndësishëm i këtij cikli është kujtesa historike dhe heroike. Përmes referencave ndaj figurave, ngjarjeve dhe vendeve simbolike, poeti ndërton një rrëfim të fuqishëm për qëndresën dhe sakrificën. Lufta, liria dhe rezistenca shfaqen si tema qendrore, duke e vendosur individin brenda një historie më të madhe kolektive.

Aktet e grisura

Ngarendin në krekosje

Për datat e pa përcaktuara në molisje

Etja digjet në shikimin e harruar

(Shikim i etur, faqe, 18)

Po ashtu, cikli shfaq një ndjeshmëri të theksuar ndaj dhimbjes dhe humbjes. Atdheu shpesh përjetohet si i plagosur, i ndarë dhe i përballur me padrejtësi historike. Megjithatë, kjo dhimbje nuk e shuan shpresën; përkundrazi, ajo e forcon ndjenjën e përkatësisë dhe të qëndresës. Në këtë mënyrë, poezia bëhet një formë rezistence shpirtërore.

Kushtrimi kryengritës bën melodinë

për mëngjeset e munguara

kur jeta vegon në litarin e fatit

kapërcen dhembjet e zgjuara

(Pamje kosmosi, faqe, 14)

Në aspektin estetik, Rexha përdor një gjuhë të fuqishme simbolike dhe epike. Imazhet e natyrës, detit, vargmaleve dhe stuhive ndërthuren me figura historike dhe mitike, duke krijuar një univers poetik të gjerë dhe dramatik. Ky stil i jep ciklit një ton solemn dhe reflektiv, ku emocioni dhe historia bashkëjetojnë.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është lidhja e atdheut me mërgatën dhe përjetimin personal të largësisë. Atdheu nuk është vetëm vendi i origjinës, por edhe një kujtim që bartet kudo, një frymë që nuk shuhet pavarësisht largësisë fizike. Kjo i jep ciklit një dimension universal të mallit dhe identitetit.

Kalërimi po tjetërson ujëvarën

Fytyrë boshatisur ëndrrën mijëvjeçare

Me këngën ngushëlluese në lotin e tharë

Pranë oxhakut të mëngjesit kuvendim

Kur kafeja derton në verigën e jetës

Për ty e për ne dhe për një Zot

Në përtypje të shikimit maratonik

(Në betejën e kufijve, faqe 26)

“Frymëmarrje atdheu” është një cikël poetik që e ngre atdheun në nivel të simbolit shpirtëror dhe historik. Nexhat Rexha arrin të ndërtojë një poezi ku individi dhe kombi bashkohen në një frymë të vetme të kujtesës dhe lirisë,

“Etja e fjalës”,

si cikël I dytë, pason me 11 poezi të tjera në vazhdim duke shpërfaqur një univers të thellë reflektimi mbi fuqinë, mungesën dhe përjetësinë e fjalës. Në këtë cikël, fjala nuk është thjesht mjet komunikimi, por shndërrohet në simbol të qenies, kujtesës, afrisë dhe spastrimit shpirtëror. Poeti e trajton atë si një entitet të gjallë, që lind, vonohet, humbet dhe ringjallet në përjetimet njerëzore.

Ndezur në flakadanin e fjalës

Koha kapërdin valët a moteve të harbuara

Me diellin e buzëqeshjeve të ngrira

( Në flakadanin e fjalës, faqe, 32)

Që në poezitë e para, fjala lidhet ngushtë me dashurinë dhe kërkimin e kuptimit. Ajo është diçka që pritet, që kërkohet me ngulm dhe që shpesh mungon në momentet më vendimtare. Në këtë mënyrë, krijohet një tension i vazhdueshëm midis asaj që ndjehet dhe asaj që mund të shprehet. Poeti e paraqet këtë përpjekje si një udhëtim të vështirë nëpër kohë, kujtesë dhe histori, ku fjala bëhet dëshmi e vazhdueshme e ekzistencës sonë.

Nata vjen ngadalë me yjet

në mes dritës dhe hënës

…

në botën e akullt

për dashurinë që e presim për fjalën

Syve të ngazëllyer

puthen faqet e sythave të luleve në pritje

(Dashuria për fjalën, faqe, 31)

Një element i rëndësishëm i ciklit është lidhja e fjalës me kohën. Në shumë vargje, koha shfaqet si forcë që e konsumon ose e vonon fjalën, duke krijuar ndjenjën e humbjes dhe të pamundësisë për të shprehur të vërtetën në kohën e duhur. Megjithatë, pavarësisht kësaj, fjala mbetet e pavdekshme, duke mbijetuar përtej kohëve dhe duke ruajtur kujtesën kolektive.

Po ashtu, në këtë cikël vërehet një ndërthurje e fortë midis personales dhe historikes. Referencat ndaj figurave historike, vendeve dhe ngjarjeve tragjike i japin fjalës një dimension më të gjerë, duke e lidhur atë me fatin e një populli. Fjala e pathënë, në veçanti, bëhet simbol i dhimbjeve të pashprehura dhe i sakrificave të heshtura ndër breza. Ajo përfaqëson kujtesën e plagëve historike dhe përpjekjen për liri.

Kjo e pathënë u shndërrua në lotin

për një mal ëndrrash

kur njeriu mundi tërbimin

e kasaphanave të Goli Otokut e Nishit

(E pathëna, faqe 43)

Në planin artistik, poeti përdor me ngulm një gjuhë të pasur figurative, me simbole të shumta si drita, nata, deti, guri, yjet etj. Natyrisht, nuk mungon as muzikaliteti i vargut dhe ritmi i brendshëm që e bëjnë poezinë e këtij libri edhe më ndikuese.

“Etja e fjalës” shpreh ankthin dhe nevojën njerëzore për të thënë, për të dëshmuar dhe për të ruajtur të vërtetën. Përmes këtij cikli, Nexhat Rexha arrin të ngrejë fjalën në nivel simboli universal, duke e bërë atë urë lidhëse mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes. Poezia e tij mbetet një thirrje për kujtesë, për ndjenjë dhe për fuqinë e shprehjes njerëzore

“Shakullinë ëndrrash”,

na ballafaqon me plus 10 pjesë poetike, ku vërejmë një thellim të botës lirike të Nexhat Rexhës, I cili ëndrrën e shndërron në motiv qendror dhe në mjet për të kuptuar realitetin, kujtesën dhe identitetin. Në këtë cikël, poeti ndërton një univers simbolik ku kufiri mes ëndrrës dhe jetës reale shpesh zhduket, duke krijuar një atmosferë të ngarkuar me ndjesi, reflektim dhe kërkim të vazhdueshëm shpirtëror.

Në mes gurësh përkundet ëndrra

Për një legjendë që e dëgjoj me vite

Aty pranë lumit gjarpërues

Të shekujve në pagjumësi

(Në mes gurësh përkunden ëndrrat, faqe: 52)

Në poezitë e këtij cikli, siç vërehet dhe nga shembulli i mësipërm, ëndrra paraqitet si strehë, por edhe si ankth. Ajo është një hapësirë ku njeriu gjen ngushëllim nga realiteti i ashpër, por njëkohësisht edhe vend ku përjetohen pasiguri dhe trazime të brendshme. Motivet e pagjumësisë, natës dhe pritjes e theksojnë këtë gjendje të dyfishtë, duke e paraqitur individin si një qenie në kërkim të qetësisë dhe kuptimit.

Një element i rëndësishëm është lidhja e ëndrrës me kujtesën dhe vendlindjen. Në disa poezi, sidomos ato që përmendin trashëgiminë dhe historinë, autori e shndërron ëndrrën në një urë që lidh të kaluarën me të tashmen. Referencat ndaj gurëve, themeleve dhe qytetit të lashtë krijojnë një ndjenjë përkatësie dhe vazhdimësie, duke treguar se identiteti ndërtohet mbi kujtesën kolektive dhe rrënjët historike.

Vjen me dritën gjallëruese

Skaj shtëpisë sime

Pa trokitur në dritare

Ku flija unë me ëndrrat

(Vjen me dritën gjallëruese, faqe 56)

Po ashtu, në këtë cikël shfaqet fuqishëm motivi i dashurisë, i cili ndërthuret me ëndrrën dhe e bën atë më të gjallë. Dashuria shfaqet si një forcë që e zbukuron botën e brendshme, por edhe si një ndjenjë e brishtë, shpesh e lidhur me mungesën dhe pritjen. Imazhet e detit, dritës, shiut dhe yjeve e pasurojnë këtë përjetim dhe i japin poezisë një dimension të gjerë emocional dhe estetik.

Në afërsi të mbaj

Me jastëkun e ëndrrave

Djersitja jote jam

Kur ti vonon më tund pagjumësia

(Ëndërr e paprekshme, faqe 49)

Në planin shoqëror dhe filozofik, poeti prek edhe realitetin e kohës, duke shprehur shqetësime për vonesën, zhgënjimin dhe ndryshimet e vështira. Këto elemente e nxjerrin poezinë nga korniza thjesht personale dhe e vendosin në një kontekst më të gjerë, ku ëndrra bëhet edhe formë rezistence ndaj realitetit.

Gjuha poetike e përdorur është e pasur me figura, ndërsa ritmi i vargut krijon një rrjedhë të natyrshme mendimi dhe ndjenje. Përmes kësaj gjuhe, Nexhat Rexha arrin të ndërtojë një poezi introspektive dhe meditative, që fton lexuesin të reflektojë mbi jetën, kohën dhe vetveten.

“Shakullinë ëndrrash” është një cikël që e vendos ëndrrën në qendër të përjetimit njerëzor, duke e trajtuar atë si hapësirë të shpresës, kujtesës dhe kërkimit të identitetit. Përmes këtij cikli, autori sjell një vizion të thellë dhe të ndjeshëm për botën e brendshme të njeriut, duke e bërë poezinë një udhëtim të vazhdueshëm midis reales dhe imagjinares.

“Mote të dremitura”,

shfaq një dimension më të thellë filozofik në krijimtarinë e Nexhat Rexhës, ku në qendër vendoset koha si fenomen ekzistencial dhe si forcë që formëson jetën, kujtesën dhe fatin e njeriut. Në këtë cikël, koha nuk paraqitet thjesht si rrjedhë lineare, por si një fuqi e gjallë dhe shpesh e pamëshirshme, që përpin vetveten dhe gjithçka rreth saj.

Motivi kryesor që përshkon poezitë është kalueshmëria dhe pafuqia e njeriut përballë kohës. Në shumë vargje, koha shfaqet si një mekanizëm që shkatërron, harron dhe transformon, duke krijuar një ndjenjë ankthi dhe pasigurie. Shprehja “koha e ha kohën” përmbledh këtë ide të fuqishme, duke e paraqitur realitetin si një cikël të vazhdueshëm konsumimi dhe humbjeje.

Koha e ha kohën haptas

Ec e mos plas

Nga duartrokitjet bastarde

Na ruaj o Zot kohën tonë

(Koha e ha kohën, faqe 61)

Një element i rëndësishëm i këtij cikli është lidhja e kohës me kujtesën dhe historinë. Poeti rikthen në vargje figura, mite dhe ngjarje që lidhen me të kaluarën kolektive, duke e bërë kujtesën një formë rezistence ndaj harresës. Referencat ndaj figurave mitologjike dhe historike, si dhe ndaj vendeve simbolike, e zgjerojnë dimensionin e poezisë dhe e lidhin atë me përvojën universale njerëzore.

Muret e Trojës i hanin gurët e përgjumur

kurse mbi supe kulmet rënkonin

vringëllimën në shfaqjen e spektaklit

Plasat e gurit lotojnë në vijat mëkatare

me ngjyrën e purpurt.

Zjarri dhe hiri ruajnë

oxhakun në ndezjen e mëngjeseve

dhe ne ngjyejmë bukën me shpresë …

(Shpresë mëtare, faqe 72)

Po ashtu, në këtë cikël shfaqen qartë edhe tensionet shoqërore dhe morale. Poeti kritikon hipokrizinë, harresën dhe deformimet e kohës moderne, duke shprehur një shqetësim të thellë për humbjen e vlerave. Njeriu shpesh paraqitet si i humbur në këtë rrjedhë, i përballur me zgjedhje të vështira mes dritës dhe errësirës, ndërgjegjes dhe mashtrimit.

Peshorja e zjarrtë nuk ngopet

Me ironinë sundimtare

Mizoritë neveritëse këpusin

Degët e lisave qëndresë kur kujtesa mrizon

(Në peshoren e kujtesës, faqe 62)

Megjithatë, përkundër kësaj tabloje të zymtë, në poezi mbetet e pranishme edhe shpresa. Ajo shfaqet në formën e dashurisë, kujtesës dhe besimit në vazhdimësi. Elemente si drita, deti, natyra dhe fjala poetike krijojnë hapësira të vogla shpëtimi, ku njeriu mund të gjejë kuptim dhe qetësi.

Gjuha poetike e Rexhës në këtë cikël është e dendur me simbole dhe metafora të qëlluara, përmes të cilave nxitë te lexuesi një meditim të thellë.

“Mote të dremitura” është pa dyshim, cikli kryesor dhe më i realizuar i këtij libri që trajton kohën si sfidën më të madhe të ekzistencës njerëzore. Përmes një poezie të pasur dhe reflektuese, poeti arrin të shprehë ankthin, kujtesën dhe shpresën e njeriut përballë rrjedhës së pandalshme të jetës.

“Vlime dhembjesh”,

lajtmotiv kryesor ka dhimbjen si përjetim universal i njeriut dhe si forcë që e shoqëron gjatë gjithë jetës. Poezia shndërrohet në një hapësirë ku ndërthuren kujtesa, humbja, ikja dhe kërkimi i vazhdueshëm i kuptimit të qenies sonë nëpër kohë.

Motivi kryesor është dhembja, e cila shfaqet në forma të ndryshme: si mungesë, si pritje e pashuar dhe si përplasje e brendshme me realitetin. Ikja dhe kthimi, si dy pole të kundërta, krijojnë një tension të vazhdueshëm në vargje, duke e vendosur njeriun në një gjendje të përhershme lëvizjeje dhe pasigurie. Kjo lëvizje shpesh shoqërohet me ndjesinë e humbjes së shpresave dhe ëndrrave.

Me dhembjet e lotëve

plagët t’i kam arnuar për çdo ditë

e çdo natë bashkë me eklipsin

në klithjet e tërbuara

(Loti, faqe, 99)

Një element i rëndësishëm i ciklit është reflektimi mbi kohën dhe kujtesën. Koha shfaqet si një fuqi që deformon, zhduk dhe transformon përjetimet njerëzore, ndërsa kujtesa mbetet si e vetmja hapësirë ku ruhet identiteti dhe përvoja. Në këtë përballje, poeti shpesh e paraqet njeriun si të pafuqishëm, por jo të dorëzuar.

Po ashtu, në këtë cikël vërehet një prani e fortë e motiveve sociale dhe historike. Vuajtja nuk është vetëm individuale, por shtrihet edhe në dimension kolektiv, duke përfshirë padrejtësinë, luftën, ikjen dhe traumën historike. Këto elemente e bëjnë poezinë më të gjerë në kuptim, duke e lidhur fatin personal me atë të shoqërisë.

Shkreptimë hapërimi ngadalëson kujtesën

Në përkundje ninullash për uratën e haresë

Sytë përmallshëm prekin tokën e drithit

Dhe shijen e bukës mëngjesore

(Ngatërrim i harlisur, faqe 83)

Në aspektin estetik, cikli karakterizohet nga një gjuhë e ngarkuar me figura të forta poetike, pakësa të errëta dhe pamje dramatike. Shiu, ikja, hija dhe drita ndërthuren vazhdimisht, duke krijuar një atmosferë të tensionuar dhe meditative. Ky stil i jep poezisë një thellësi emocionale dhe filozofike.

Megjithatë, përkundër tonit të rëndë të dhembjes, në vargje ndihet edhe një dritë e brendshme shprese. Kjo shpresë lidhet me qëndresën e njeriut, me dashurinë dhe me fuqinë për të mos u dorëzuar përballë humbjes dhe errësirës.

Një zog përkund degën e qershisë

dhe çukat pangopshëm

ëmbëlsinë deri në bërthamë

(Trokitje në dritare, faqe, 86)

“Vlime dhembjesh” e shndërron dhimbjen në reflektim artistik dhe filozofik. Nexhat Rexha arrin të ndërtojë një poezi ku njeriu përballet me vetveten, me kohën dhe me fatin, duke e bërë këtë cikël një dëshmi të thellë të shpirtit njerëzor.

“Agimet lindin me emrin tënd”,

nxjerr në pah një udhëtim të brendshëm ndjenjësor po dhe artistik, ku dashuria, mungesa dhe kujtesa bashkëjetojnë në një hapësirë të vetme lirike. Në epiqendër të frymëzimeve të poetit qëndron figura e “Ti”-së, e cila nuk paraqitet thjeshtë si një person konkret, por si një prani e shndërruar në simbol të dritës, të jetës dhe të frymëzimit shpirtëror. Ajo është njëkohësisht afër dhe larg, e prekshme dhe e paarritshme, reale dhe e ëndërruar.

Ecja ngadalësoi hapat

në vështrim të buzëqeshjes

nga lodhja dhe etja për ata sy

Kodin e çelësit zjarrmia e la pa frymë

kurse dridhjet shtanguan

në gjakim të ëndrrës skofiare

(Nën hijen e vështrimit, faqe, 102)

Një nga boshtet kryesore të ciklit është ndjenja e dashurisë së thellë, e cila shfaqet në forma të ndryshme: si mbështetje, si qetësim, si frymëzim dhe si forcë që e mban gjallë subjektin lirik. “Ti” ( që në këtë rast pandehet se është “ e dashura:”, apo dhe “personi i ëndrrës”, është dora që shtrëngon, loti që fshihet, drita që shfaqet në errësirë dhe fryma që jep jetë. Kjo dashuri nuk është statike, por e lëvizshme, e ndërtuar mbi përjetime të vazhdueshme ndjenjësore.

Në të njëjtën kohë, cikli është i përshkuar nga motivi i mungesës dhe i pritjes. Mëngjeset që vonojnë, ditët që nuk vijnë, dhe shikimet që mbeten pezull krijojnë një atmosferë të thellë malli. Kjo mungesë nuk shfaqet vetëm si dhimbje, por edhe si hapësirë ku lind poezia dhe kujtimi. Pikërisht në këtë zbrazëti, ndjenjat marrin formë dhe shndërrohen në varg.

Ti je ajër që frymon gjithkund

Kalon nëpër arteriet e mia

Dhe prapë ikën në pakthim

(Dita që nuk vjen, faqe, 111)

Koha në këtë cikël nuk është lineare; ajo është e përthyer midis kujtesës dhe ëndrrës. Kujtimet nuk zbehen, por nguliten si prani e përhershme në “muzeun e zemrës”, ndërsa ëndrrat vazhdojnë të ushqejnë shpresën për një afërsi të munguar. Kështu, e kaluara dhe e tashmja bashkohen në një realitet ndjenjësor të vetëm.

Një element tjetër i rëndësishëm është natyra, e cila shërben si pasqyrë e gjendjeve shpirtërore. Deti me valët e tij, era, shiu, agimet dhe retë nuk janë vetëm peizazhe, por metafora të ndjenjës. Ato përforcojnë idenë e lëvizjes së brendshme, të trazimit emocional dhe të qetësisë së përkohshme që kërkohet përmes dashurisë.

Yjet sonte kanë prangosur shikimin

Në dyluftim me monotoninë

E dallgëve të boshatisura

Në pamjen e ngrirë të detit

(Yjet kanë prangosur shikimin, faqe, 112)

Në thelb, cikli shpreh idenë se dashuria, edhe kur nuk është e pranishme fizikisht, nuk shuhet. Ajo transformohet në dritë të brendshme, në kujtim dhe në frymëzim të vazhdueshëm.

“Agimet lindin me emrin tënd” përfundon si një meditim poetik mbi fuqinë e ndjenjës që e tejkalon mungesën, duke e shndërruar atë në burim të vazhdueshëm të jetës shpirtërore.

***

Për ta përmbledhur gjithë këtë përimtim poetic e ndjesi që më dha vepra më e re poetike e Nexhat Rexhës, MES GURËSH PËRKUNDËN ËNDRRAT, që s’do mend , edhe si titull është metoforë në vete, si tërësi poetike, ka thelluar dhe pasuruar më tej shprehjen artistike, po edhe me vlera e prrurje të reja, të cilat i japin një dimension tjetër krijimtarisë së këtij autori, po edhe e pasurojnë dhe letërsinë tonë.

(23 prill – 3 qershor 2026)

Share This:

Tags: Nexhat Rexha
Previous post
Vali Ranch Resort
Më të Rejat
Arte tjera

Shkruan Sabit Rrustemi: Lexim kritik i vëllimit

3 June 2026
Lajme

Sinan Vllasaliu pritet të performojë në dasmën

3 June 2026
Arte Pamore

Din Azizi fton publikun në hapjen e

3 June 2026
Lajme

Bresalci mirëpret Glauk Konjufcën, Alban Hysenin dhe

2 June 2026
RELATED Stories for you
Kulturë Lajme Letërsi

Përurohet libri më i ri poetik i

25 April 2026

Në kuadër të veprimtarive letrare “Shpalime pranë vere”, më 25 prill 2026, në ambientet

Kulturë Lajme Letërsi

Shkruan: Nexhat Rexha – Letërsia arbëreshe në

24 November 2025

Prej kohëve më të lashta e deri më sot veprat letrare kanë zgjuar interesimin

Lajme

U mbajt mbledhje përkujtimore për profesorin Nexhat

12 September 2025

Në Gjimnazin Shoqëror ‘’Zenel Hajdini” është mbajtur mbledhje përkujtimore për profesorin e gjeografisë Nexhat

TV Gjilani TV Gjilani

Adresa: Rr. Abdullah Tahiri, p. n, Gjilan, Kosovë.

Tel. +383 44 304 901

Kategoritë

Lajme
Sport
Kulturë
Shëndeti

Marketing

Marketing
Shpallje

info@tvgjilani.com

Na ndiqni

©2026. All Right Reserved. TV Gjilani. All rights reserved. Portali Tv Gjilani. com mirëmbahet nga Kompania e Produksionit dhe Botimeve B. I. “Sfinga 07”. Të gjitha materialet e botuara dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen ose botohen gjetiu, e as nuk mund të shtypen e të shfrytëzohen në mënyrë apo formë tjetër, ose për qëllime përfitimi, pa marrë miratimin paraprak nga Tv.Gjilani.com Për shfrytëzimin apo përdorimin e materialeve nga Tv Gjilani.com, secili është i obliguar të marrë aprovimin paraprak dhe të pranoj kushtet e cekura si më lart. Website by Hostinkos.