Incident i rëndë në futbollin spanjoll, futbollisti i Sabadellit dërgohet me autoambulancë në spital
Një incident i rëndë ka ndodhur në ndeshjen ndërmjet Sabadellit dhe Albacetes në futbollin spanjoll, ku futbollisti i Sabadellit, Quadri Liameed, ka humbur ndjenjat pas një goditjeje të fortë në kokë.
Ngjarja ndodhi pak para përfundimit të pjesës së parë, kur Liameed tentoi ta godiste topin me kokë, ndërsa futbollisti i Albacetes, José Corpas, u përpoq të intervenonte me volej. Në momentin e ndërhyrjes, këmba e Corpasit e goditi Liameedin në kokë, duke e rrëzuar menjëherë në fushë.

Stafi mjekësor reagoi menjëherë, duke i ofruar ndihmën e parë futbollistit, ndërsa për shkak të gjendjes së tij u desh ndërhyrja e autoambulancës, e cila hyri në fushë për ta transportuar në spital.

Arbitri i takimit ndëshkoi José Corpasin me karton të kuq direkt, pavarësisht se ndërhyrja u vlerësua si e paqëllimshme.
Lajmi i mirë erdhi pas ekzaminimeve mjekësore. Klubi i Sabadellit konfirmoi se Liameed ishte jashtë rrezikut, kishte marrë vetëdijen dhe se rezultatet e kontrolleve mjekësore ishin të mira. Futbollisti mori edhe lirimin nga spitali.
Ndeshja përfundoi me fitoren e Albacetes 2:1, por incidenti me futbollistin e Sabadellit ishte momenti më shqetësues i kësaj përballjeje
