Viti: Përurohet Biblioteka “Dom Mikel Tarabulluzi” në Stubëll, merr pjesë edhe kryetari Haliti
Në Qendrën Pastorale-Kulturore të Famullisë së Stubllës është përuruar Biblioteka “Dom Mikel Tarabulluzi”, në një aktivitet ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
Me këtë rast, Haliti përgëzoi famullitarin Don Fatmir Koliqi për angazhimin në themelimin e bibliotekës dhe të qendrës rinore, ndërsa vlerësoi edhe kontributin e këshillit të fshatit dhe banorëve të Stubllës në realizimin e këtij projekti.

Gjatë ceremonisë, kryetari Haliti foli edhe për rëndësinë historike të Dom Mikel Tarabulluzit, i njohur si mësues i shkollës së parë shqipe në Kosovë. Ai theksoi se emërtimi i bibliotekës me emrin e tij përbën një vlerësim të trashëgimisë arsimore e kulturore dhe një pasuri për komunitetin e Stubllës, Komunën e Vitisë dhe më gjerë.


Në kuadër të ceremonisë, Haliti ndau mirënjohje për Oliver Perën, në shenjë falënderimi për kontributin financiar në realizimin e bibliotekës, e cila synon të shërbejë si hapësirë për lexim, dije, kulturë dhe edukim të brezave të rinj.

