Gjenerata e Artë e vitit 1974/75 ribashkohet pas gjysmë shekulli. Nehat Osmani: “Falemnderit Farkës që na mbështeti dhe na integroi”
Veteranët e futbollit gjilanas nderojnë Fahredin Sherifin. “Na çmonte si fëmijët e tij”.
Gjilan, 11 Tetor 2026 – TV Gjilani – Gjenerata e artë e futbollit gjilanas e viteve 1974/75 u ribashkua pas gati gjysmë shekulli për të nderuar një nga figurat më të respektuara të futbollit të qytetit, Fahredin Sherifin – Farka.
Ish-futbollisti gjilanas Nehat Osmani përmes një postimi në Facebook ka shprehur mirënjohje të pafundme për Farkën, i cili edhe pse ishte futbollist më i moshuar se të gjithë, luajti në fillim të viteve ’70 dhe vazhdoi të ishte pjesë e brezave të mëvonshëm.
“Një kohë e një mot, sa një jetë e tërë! Sërish të gjithë njësoj bashkë, veçse një gjysëm shekulli mes vitesh qëkur si fëmijë nisëm rrugëtimin tonë sportiv e njerëzor. Asokohe plot andrra e ambicie, sonte plot evokime e kujtime. Mbi të gjitha përplot MBURRJE për shtigjet që kaluam dhe gjurmët që lamë”, shkroi Osmani.

“Na mbështeti moralisht dhe na integroi në futbollin elitar gjilanas”
Sipas Osmanit, vlera më e madhe e Farkës ishte mbështetja njerëzore dhe profesionale që u dha kësaj gjenerate.
“Në nderim e falenderim përkushtimin e tij ndaj një gjenerate që do mbetet shembull për t’u ndjekur nga gjenerata e breze në vijim. Për njeriun që kërkonte lojën në fushë ta shndërronim në ART përmes figurave gjeometrike, në mënyrë që të besojmë se brenda garës e shpirtit sportiv gjithnjë lindin vlera e vyrtyte njerëzore”, thuhet në postim.
Osmani thekson se Farka synonte perfeksionizmin dhe se “shkathtësitë fizike të ndërthurura me mendjen e intelektin ndërtojnë unin e karakterin e një personaliteti”.

Ribashkimi pas 50 vitesh
Kjo gjeneratë sot është rreth moshës 65 deri në 70 vjeç, por lidhja me Farkën mbetet e njëjtë si atëherë.
Në takimin përkujtimor u mblodhën: Rabit Matoshi, Tajar Hoxha, Agim Ramizi, Xhelal Jetishi, Besnik Xhinolli, Mehmet Shaqiri, Naser Bunjaku, Mustafë E. Hyseni, Refik Morina dhe Nehat Osmani.
“U mblodhëm edhe sot si atëherë për t’i shprehur admirimin tonë jetësor njeriut që na çmonte si fëmijët e tij e ne konsideronim si prind. Falemnderit Farko!”, përfundon Osmani.
Fahredin Sherifi – “Farka” mbetet simbol i brezit të artë të futbollit gjilanas të viteve 70/80, kur qyteti kishte lulëzuar me yje të shumtë.
Burimi: Postim i Nehat Osmanit në Facebook
