Dhimbje e madhe: U nda nga jeta Petrit Xhevdet Kallaba, zëri i ri i kulturës dhe medias që la gjurmë në zemrat e shumë njerëzve
Me dhimbje të madhe është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të të riut Petrit Xhevdet Kallaba nga fshati Roganë i Komunës së Kamenicës.
Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur babai i tij, publicisti dhe krijuesi Xhevdet Kallaba, i cili njoftoi se Petriti ndërroi jetë në orën 14:38.
Petrit Kallaba do të kujtohet si një i ri i përkushtuar, i cili gjatë jetës së tij të shkurtër u dallua për angazhimin në aktivitete të shumta kulturore, krijuese dhe në fushën e medias. Me pasionin, energjinë dhe përkushtimin e tij, ai la gjurmë të veçanta tek njerëzit me të cilët bashkëpunoi dhe në komunitetin ku jetoi e veproi.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur thellë jo vetëm familjen dhe të afërmit, por edhe mbarë komunitetin nga Rogana, Dardana, Gjilani e Anamorava, si dhe shumë njerëz në të gjithë Kosovën dhe diasporën. Qindra mesazhe solidarizimi dhe ngushëllimi kanë ardhur nga miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë të shumtë, të cilët kanë ndarë dhimbjen me familjen Kallaba për këtë humbje të parakohshme dhe të rëndë.
Për detajet e varrimit, familja ka bërë të ditur se do të njoftojë në vazhdim.
Ngushëllime familjes Kallaba, të afërmve dhe të gjithë atyre që e njohën Petritin.
Shpirti i tij u prehtë në paqe!
