Delegacioni i UEFA-s në Kosovë, zhvillimi i infrastrukturës së futbollit në fokus të vizitës
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe kryetari i Komitetit për Stadiume dhe Siguri, Petr Fousek, si dhe drejtori i Programit HatTrick dhe i Zhvillimit të Federatave Kombëtare në UEFA, Thierry Favre, kanë qëndruar për një vizitë dyditore në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet UEFA-s dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni i UEFA-s, i shoqëruar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, është pritur në takim nga ministri i Sportit, Blerim Gashani, ku në fokus të diskutimeve ishin zhvillimi i infrastrukturës së futbollit, investimet strategjike dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për avancimin e mëtejshëm të futbollit kosovar.

Ministri Gashani falënderoi UEFA-n për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke e cilësuar rrugëtimin dhjetëvjeçar të futbollit kosovar në familjen evropiane të futbollit si të jashtëzakonshëm dhe shumë produktiv. Ai gjithashtu vlerësoi punën e FFK-së nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, duke shprehur optimizëm për të ardhmen e futbollit në vend.
Ministri Gashani tha se krahas vazhdimit të punëve në stadiumet ku po punohet aktualisht, shumë shpejt do të dëgjohet lajmi për fillimin e ndërtimit të stadiumit nacional.

Ndërkaq, Petr Fousek theksoi se qëllimi i kësaj vizite është të rikonfirmojë mbështetjen e UEFA-s për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe të vlerësojë punën e vazhdueshme zhvillimore që po bëhet nën udhëheqjen e presidentit Ademi. Ai nënvizoi besimin e UEFA-s në punën dhe vizionin zhvillimor të FFK-së, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e mbështetjes së institucioneve shtetërore, veçanërisht në realizimin e projekteve infrastrukturore, si parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit.
Nga ana tjetër, Thierry Favre u shpreh se rikthimi në Kosovë ka gjithmonë një domethënie të veçantë për të, duke qenë pjesë e rrugëtimit të futbollit kosovar në UEFA që nga dita e parë. Ai vlerësoi progresin e arritur ndër vite, duke veçuar Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali si një nga projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme zhvillimore në Kosovë.

Pas takimit me ministrin Gashani, delegacioni i UEFA-s, i shoqëruar nga presidenti Ademi, vizitoi Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku u njoh nga afër me investimet e realizuara, kapacitetet infrastrukturore dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të këtij kompleksi. Kampi Nacional përbën një nga investimet më strategjike të FFK-së, me rëndësi të veçantë për përgatitjen e ekipeve kombëtare, zhvillimin e talenteve të reja dhe ngritjen e standardeve profesionale të futbollit në vend.
Në kuadër të qëndrimit të tyre në Kosovë, përfaqësuesit e lartë të UEFA-s vizituan edhe stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku u njohën nga afër me gjendjen aktuale të infrastrukturës, kushtet dhe kapacitetet e stadiumit që mirëpret ndeshjet ndërkombëtare të Kombëtares së Kosovës dhe klubeve në garat evropiane.

Ndërkohë, vizitën e tyre e përmbyllën me një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Në fokus të diskutimeve ishte ndërtimi i stadiumit të ri në kryeqytet, i cili u vlerësua si një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit dhe avancimin e infrastrukturës sportive në vend.

Gjatë takimit u diskutua edhe për potencialin e Prishtinës që, në një të ardhme të afërt, të jetë mikpritëse e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të futbollit, përfshirë edhe finalet e garave të UEFA-s. Në këtë drejtim, ndërtimi i një stadiumi modern, që përmbush standardet më të larta të UEFA-s, do të krijonte mundësi të reja për pozicionimin e kryeqytetit dhe të Kosovës në hartën e organizimeve të rëndësishme të futbollit evropian.
Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit ndërmjet FFK-së, Komunës së Prishtinës dhe UEFA-s për realizimin e këtij projekti strategjik.
