FC Drita nis shtrimin e barit natyral në kampin stërvitor, i pranishëm edhe Agim Ademi
FC Drita ka nisur një fazë të rëndësishme të zhvillimit të infrastrukturës së saj, me fillimin e shtrimit të tapetit me bar natyral në kampin stërvitor të klubit, DFC Camp.
Sipas klubit, ky investim synon krijimin e kushteve më të mira për stërvitje, përgatitjen dhe punën e përditshme të futbollistëve. Në përcjelljen e punimeve ishte i pranishëm edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili nga afër ndoqi procesin e shtrimit të barit.

FC Drita ka bërë të ditur se realizimi i këtij projekti është mundësuar me mbështetjen e FFK-së dhe kryetarit të saj, Agim Ademi, për çka klubi ka shprehur mirënjohje.

Nisja e këtij procesi shënon një tjetër hap drejt realizimit të një projekti të kahmotshëm të klubit gjilanas, i cili synon ta avancojë më tej infrastrukturën sportive dhe kushtet e punës për ekipet e tij.
Me moton “DFC Camp – Krenaria e qytetit”, Drita po i jep formë një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në historinë e klubit.
