Nderohet sakrifica e familjes Jashari dhe e UÇK-së
Në Ditën e Flamurit është shënuar edhe ditëlindja e 71-të e komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe përvjetori i 29-të i daljes publike të UÇK-së. Shumë qytetarë, personalitete e përfaqësues politikë e vizituan Prekazin në këtë ditë përvjetorësh
Temperaturat e ulëta nuk i kanë ndalur qytetarët që këtë 28 Nëntor ta marrin rrugën drejt Prekazit.
Që në orët e hershme të mëngjesit, ata janë mbledhur në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, për të nderuar të rënët dhe për të kujtuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Për Arbëresha Shalën, vizita e sivjetme në Prekaz ka një domethënie të veçantë.
“Në Prekaz kam ardhë çdo vit, por veç si vizitore për mi nderu ata të cilët e kanë dhënë jetën për neve, ndërsa sot ka me vrapu po për ata persona. Është tepër ndjenjë e veçantë e papërshkrueshme dhe sinqerisht”, ka thënë ajo.
E, Haxhi Nishori ka thënë se këtë vend e viziton vazhdimisht, për të mos lejuar që historia dhe sakrifica e të rënëve të bien në harresë.
“Meka e shqiptarëve është Prekazi ku mos me ardhë. Gati çdo vit unë vij në Prekaz. Unë vij më shpesh me vizitu, mos me lanë me u harru. E kanë harru historinë ata që e kanë pasë pushkën në dorë siç po shihet pas interesave e le më gjeneratat e reja”, ka thënë ai.
Edhe një tjetër qytetar shpreh rëndësinë që gjeneratat e reja të njihen më shumë me të kaluarën e vendit.
“Për të rinjtë ma shumë me lexu për historinë tonë për të kaluarën tonë”, ka thënë qytetari.
Përveç qytetarëve, Prekazin e vizituan edhe përfaqësues institucionesh dhe të partive politike, të cilët vendosën kurora dhe bënë homazhe te varrezat e Jasharëve.
Kryeministri Albin Kurti e ka përfshirë Prekazin e Adem Jasharit ndër tri ngjarjet pjesë të trashëgimisë së lavdishme historike që ndriçojnë të ardhmen e shqiptarëve.
“Në Prekaz, nga Vlora. 28 Nëntori nuk është vetëm Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit Kombëtar, por edhe ditëlindja e kryekomandantit Adem Jashari dhe e shpalljes publike të UÇK-së në Llaushë nga Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj. Kruja e Skënderbeut në mes të shekullit XV, Vlora e Ismail Qemalit dhe Drenica e Adem Jasharit, në fillim e në fund të shekullit XX, janë trashëgimia e lavdishme historike e 28 Nëntorit që na e ndriçon të ardhmen e këtij shekulli të ri”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se shqiptarët u janë përjetë mirënjohës Jasharëve dhe UÇK-së.
“Për lirinë që ne sot e gëzojmë, Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë. Adem Jashari qysh herët e nisi angazhimin e tij në rezistencën e armatosur për çlirimin e Kosovës. As ai, as familja Jashari, burra e gra bashkë, nuk u dorëzuan. Ata rezistuan, prandaj edhe ne përjetë u jemi atyre mirënjohës dhe pikërisht rezistenca e tyre bëri që radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shtohen”.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në Prekaz ka bërë thirrje për bashkim në mbrojtje të vlerave të luftës.
“Lufta për liri përfaqëson shkallën më të lartë të vetëdijes. Lufta për liri nuk është krim. Shteti i pavarur i Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale. Edhe sot u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të rrinë të bashkuar, edhe më të bashkuar sesa që janë, në mbrojtje të vlerave më sublime që i kemi krijuar si komb”, ka thënë ajo.
Homazhe kanë bërë edhe veteranë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së e përfaqësues të pushtetit lokal./Koha
