Lugina: Nga Besim Nasufi te Fatlum Kadriu: Njihuni me 29 anëtarët e rinj të KKSH-së
Përbërja e re e Këshillit Kombëtar Shqiptar ka 29 anëtarë, me një diferencë moshe prej 32 vjetësh mes anëtarit më të moshuar dhe më të riut. Gratë përbëjnë mbi 41 për qind të përfaqësimit.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK), në seancën e mbajtur më 27 nëntor, ka miratuar vendimin për ndarjen e mandateve për 29 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), duke përcaktuar kështu përbërjen e ardhshme të këtij institucioni.

Sipas portalit FOLonline, përbërjen e re, duke u fokusuar në moshën e anëtarëve, përkatësinë e tyre në listat zgjedhore, profilet profesionale dhe përfaqësimin gjinor, pritet të jetë me kuadro në mesin e 29 anëtarëve të zgjedhur, ku më i moshuari është Besim Nasufi nga Presheva, i lindur në vitin 1971, profesor i edukatës fizike dhe pjesë e listës së Partisë për Veprim Demokratik (PVD).
Në skajin tjetër të përbërjes së re qëndron Fatlum Kadriu, nga lista e Alternativës për Ndryshim (APN), i lindur në vitin 2003, student, i cili është anëtari më i ri i KKSH-së. Mes dy anëtarëve ka një diferencë prej 32 vjetësh.
Pas Nasufit, në mesin e anëtarëve më të moshuar janë Isak Rashiti, nga lista e LPD-së, dhe Kadri Selimi, nga lista e PVD-së, të dy të lindur në vitin 1972.
Ndërkaq, pas Fatlum Kadriut, anëtarja më e re është Qibrije Veliu, nga lista e LPD-së, e lindur në vitin 2000, me profesion infermiere.
Ekonomistët dhe juristët në mesin e profesioneve më të përfaqësuara
Për nga përkatësia profesionale, ekonomistët përbëjnë grupin më të madh në përbërjen e re të KKSH-së, me gjashtë anëtarë, ndërsa juristët janë të përfaqësuar me katër anëtarë.
Përfaqësim të konsiderueshëm kanë edhe profesionistët e fushës së arsimit, ndërsa në këtë përbërje figurojnë edhe një stomatologe, një infermiere, një psikologe, një sociologe, një inxhinier i makinerisë, një afarist dhe një student.
Mosha mesatare rreth 40 vjeç
Nga gjithsej 29 anëtarët e zgjedhur, 11 janë të lindur në vitin 1990 ose më vonë, ndërsa mosha mesatare e përbërjes së re të Këshillit Kombëtar Shqiptar është rreth 40 vjeç.
12 gra në përbërjen e re të KKSH-së
Përfaqësimi gjinor në përbërjen e re përbëhet nga 17 burra dhe 12 gra, që do të thotë se gratë përbëjnë mbi 41 për qind të anëtarëve të këtij institucioni.
Sipas listave zgjedhore, LPD dhe PVD përfaqësohen me nga katër gra, ndërsa PD dhe APN me nga dy.
Mandatet sipas listave zgjedhore
Përbërja e re e KKSH-së është ndarë sipas listave zgjedhore në këtë mënyrë:
- PVD – AL: 10 anëtarë
- LPD – PDSH: 9 anëtarë
- PD – LR: 5 anëtarë
- APN: 5 anëtarë
Sa i përket përfaqësimit territorial, anëtarët e zgjedhur vijnë nga komunat e Preshevës dhe Bujanocit, ndërsa Medvegja nuk ka asnjë përfaqësues në përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Me vendimin e RIK-ut për ndarjen e mandateve, është hapur rruga për konstituimin e përbërjes së re të KKSH-së, e cila do të përbëhet nga 29 anëtarë, në krahasim me përbërjen e mëparshme që kishte 15 anëtarë.
