UEFA gjobit Federatën Angleze me 15 mijë euro për fyerjet ndaj Papës dhe irlandezëve
Federata Angleze e Futbollit (FA) është gjobitur me 15 mijë euro nga UEFA dhe është ndëshkuar me ndalim të kushtëzuar të shitjes së biletave për një ndeshje jashtë fushe, për shkak të thirrjeve fyese të tifozëve anglezë gjatë përballjes me Spanjën në Madrid.
Sipas gazetës britanike “The Guardian”, ndëshkimi lidhet me brohoritjet e tifozëve gjatë fitores 3-2 të Anglisë ndaj Spanjës, në ndeshjen e Ligës së Kombeve, të zhvilluar në stadiumin “Metropolitano”.
Kënga kontroverse përmbante fyerje vulgare ndaj Papës dhe Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA), ndërsa UEFA e cilësoi sjelljen e tifozëve si raciste ose diskriminuese.

Ndalimi i shitjes së biletave është pezulluar për një periudhë prove prej dy vitesh. Kjo do të thotë se nëse Anglia përsërit shkelje të tilla gjatë kësaj periudhe, tifozët e saj mund të ndalohen të marrin bileta për një ndeshje zyrtare jashtë fushe.
Në reagimin e saj, Federata Angleze ka dënuar thirrjet e tifozëve dhe ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me policinë për identifikimin e personave përgjegjës dhe ndërmarrjen e masave përkatëse.
Sipas kodit disiplinor të UEFA-s, federatat ose klubet mund të ndëshkohen kur tifozët e tyre cenojnë dinjitetin njerëzor përmes sjelljeve diskriminuese, përfshirë ato që lidhen me racën, fenë, origjinën etnike, gjininë apo orientimin seksual.
