Punëtorët e NPL “Tregu” shembull në kujdesin për ambientin, shoferëve u kërkohet më shumë përgjegjësi
Mirëmbajtja e hapësirave publike dhe kujdesi për pastërtinë e mjedisit mbeten ndër sfidat me të cilat përballet Gjilani, veçanërisht përgjatë rrugëve lokale e rajonale, në zonat rurale dhe në parqet e hapësirat e gjelbra të qytetit.
Krahas nevojës për një organizim dhe përfshirje shumë më të madhe institucionale në menaxhimin e mbeturinave, mirëmbajtjen e ambientit dhe kultivimin e hapësirave të gjelbra, sfidë tjetër mbetet edhe sjellja joqytetare e një pjese të qytetarëve, veçanërisht e drejtuesve të automjeteve që hedhin mbeturina në hapësira publike.

Në këtë drejtim, një shembull pozitiv vjen nga punëtorët e Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu” në Gjilan, të cilët janë të angazhuar në mirëmbajtjen e rrugëve dhe hapësirave publike në territorin e komunës.

Në një postim të ndërmarrjes, bëhet e ditur se gjatë vizitave nëpër fshatrat e komunës janë takuar punëtorët në terren, të cilët kujdesen për pastërtinë përgjatë rrugëve dhe në hapësirat publike. Sipas vlerësimit të tyre, gjendja në zonat e vizituara ishte e mirë, pavarësisht sfidave që sjell stina e vjeshtës dhe kushtet atmosferike.

Punëtorët e angazhuar në mirëmbajtjen e rrugëve rajonale dhe magjistrale, sipas njoftimit, nuk e konsiderojnë problem as grumbullimin e gjetheve të rëna, as letrat e hedhura nga nxënësit dhe kalimtarët. Shqetësim më të madh për ta paraqet sjellja e disa drejtuesve të automjeteve, të cilët gjatë lëvizjes hedhin qese me mbeturina, kanaçe dhe pako cigaresh nga dritaret e veturave.
Përmes këtij postimi, NPL “Tregu” u ka bërë apel qytetarëve, veçanërisht drejtuesve të automjeteve, që të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe kulturë qytetare, duke mos e ndotur ambientin dhe duke respektuar punën e punëtorëve që kujdesen çdo ditë për pastërtinë e hapësirave publike.

Angazhimi i këtyre punëtorëve është një shembull i mirë i kujdesit për mjedisin, i cili do të duhej të ishte pjesë e punës së përditshme në të gjitha zonat e Gjilanit. Megjithatë, përballë nevojave që ka qyteti dhe fshatrat për mirëmbajtjen e hapësirave publike, kërkohet përkushtim shumë më i madh institucional, me angazhim shumëfish më të madh të punëtorëve, mjete dhe organizim më të mirë për menaxhimin e mbeturinave dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra.
Një angazhim më i madh i institucioneve dhe ndërmarrjeve përgjegjëse, i shoqëruar me vetëdije dhe përgjegjësi më të lartë qytetare, do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe në krijimin e hapësirave më të pastra e më të gjelbra për të gjithë qytetarët.
