ME MBRËMJEN POETIKE U PËRURUA SALLA E RE E TEATRIT
Sonte, me mbrëmjen poetike “Për jetë e mot UÇK!”, u përurua salla e re e Teatrit të Qytetit “Adriana”, e vendosur në objektin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Ferizaj.
Përmes interpretimit të poezive të autorëve të njohur shqiptarë, trupa e aktorëve të Teatrit “Adriana” solli para publikut një program artistik kushtuar lirisë, sakrificës dhe qëndresës së popullit shqiptar. Poezitë me motive patriotike, vargjet që shprehin dhimbjen e përjetuar ndër breza dhe ato që lartësojnë përpjekjet për liri, krijuan një mbrëmje me përmbajtje të fuqishme emocionale dhe artistike.


Me interpretimet e tyre, aktorët i dhanë jetë fjalës poetike, duke e shndërruar këtë ngjarje në një homazh për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Përurimi i sallës së re shënon një etapë të rëndësishme për Teatrin “Adriana”, i cili rikthehet para publikut në një hapësirë tjetër, duke krijuar mundësi për vazhdimin e veprimtarisë skenike dhe realizimin e projekteve të reja artistike.


Kjo mbrëmje shënoi jo vetëm hapjen e një hapësire teatrore, por edhe një fillim të ri për jetën skenike të Ferizajt, me dëshirën që kjo sallë të jetë vend i krijimtarisë, i takimeve artistike dhe i komunikimit të vazhdueshëm me publikun
