DMSH E GJILANIT DHE SIOUX CITY, IOWA (SHBA), REALIZOJNË USHTRIM TË PËRBASHKËT SIMULUES “VËRSHIMET”
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit, në bashkëpunim me qytetin Sioux City, Iowa (SHBA), më 9 tetor 2026, në orën 15:00, ka realizuar ushtrimin e përbashkët simulues me temën “Vërshimet”. Ushtrimi u zhvillua përmes platformës online, me pjesëmarrje virtuale të përfaqësuesve të institucioneve përkatëse.
Në këtë ushtrim morën pjesë përfaqësues të drejtorive komunale dhe institucioneve relevante, përfshirë:
• Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH);

• Drejtorinë e Shërbimeve Publike (DSHP);
• Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS);
• Qendrën Operative Rajonale 112 (AME);
• Policinë e Kosovës;
• Njësinë për Zjarrfikje dhe Shpëtim;
• Kryqin e Kuq – Dega në Gjilan;
Në cilësinë e vëzhguesit, Shoqata e Pensionistëve të TMK FSK &
dhe simpatizantëve “Elita”

Skenari i ushtrimit u mirëprit nga Komuna e Gjilanit dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, e cila ka përgjegjësi për menaxhimin e situatave emergjente në territorin e komunës. Në përputhje me Planin Operativ Emergjent, në rast të një fatkeqësie reale, do të aktivizohej Qendra Operative Emergjente, me qëllim të koordinimit të veprimeve dhe reagimit institucional.
Ushtrimi u realizua me sukses dhe u vlerësua lart nga përfaqësuesit e Qendrës Operative të qytetit Sioux City, Iowa (SHBA). Me këtë rast, pala amerikane shprehu gatishmërinë dhe interesimin për organizimin e vizitave të ndërsjella të punës, me synim forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Drejtori i DMSH-së, z. Enver Shabani, shprehu mirënjohjen e tij për qytetin Sioux City, Iowa (SHBA), për kontributin dhe bashkëpunimin e ofruar, duke theksuar rëndësinë e këtyre aktiviteteve në ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin e emergjencave civile dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera.
Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe shkëmbimi i përvojave janë hapa të rëndësishëm drejt rritjes së gatishmërisë dhe forcimit të kapaciteteve për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve.
