Opinion nga Aga Ymeri – Migjeni dhe maska e njeriut
Në fund të viteve ’30, Migjeni ynë i madh – sepse njeriu zgjidhet nga hyjnorja ose nga fuqi të panjohura që në lindje për të qenë i madh; nuk mund të bëhesh i madh vetëm sepse dëshiron, sepse atëherë bota do të pëlciste nga madhështia – i shkruante një shoku, duket se Teufik Gjylit, dhe i thoshte se do të duhej ta largonte fjalën „komprometim“.
Edhe pse ishte një letër drejtuar një shoku, Migjeni, si një vrojtues i hollë i jetës dhe me shpirtin e tij poetik, nuk e duronte dyfytyrësinë, moralin e dyfishtë. Për moralin e dyfishtë, Migjeni shkroi në mënyrë tejet artistike në novelën e tij „Studenti në shtëpi“.
„Çdo gjë e bëjmë“, thotë në letër, „që të mos komprometohemi…“
Në rrugë sillemi mirë, në kafene, në treg, që të mos komprometohemi. Nuk guxojmë ta shikojmë gjatë gjininë tjetër që na pëlqen, kur takohemi në rrugë, që të mos komprometohemi. I lëshojmë sytë vetëm aq sa na duket se nuk po komprometohemi… E kështu jeta vazhdon pa ndërprerje, duke aktruar, që të mos komprometohemi.

Migjeni i thotë shokut se do të ishte mirë që këtë fjalë ta largonim fare nga fjalori. Poeti, në të vërtetë, nuk ka asgjë me fjalën. Problemin e ka me maskën. Me maskën që përdorin njerëzit për t’u dukur ndryshe nga ata që janë në realitet.

Çfarë është interesante, duket se kjo letër nuk është shkruar në vitet ’30, por sot. A nuk e kemi në buzë fjalën „të mos komprometohemi“ sa herë që kalojmë derën e shtëpisë sonë? A nuk aktrojmë ditë e natë për t’u dukur të zgjuar, të suksesshëm, të fortë, të bukur, të shëndetshëm?
Gjeneratat që kanë fëmijë dhe i shohin ata duke u rritur, a nuk mundohen, në çdo rrethanë, t’ua fshehin të metat djemve apo vajzave të tyre para botës, që të mos komprometohen?
Duket se natyra njerëzore nuk ndryshon shpejt. Që të ndryshojë natyra njerëzore – vetëdija, do të kishte nevojë për qindra vjet.
Kur lexojmë Balzakun, a nuk na duket sikur i shohim rrugëve ata fajdexhinj të pangopur, ato vajza pa asnjë grimë vetëdijeje njerëzore, përveç instinkteve, te „Xha Gorio“, që e urrejnë të atin deri në palcë dhe e shfrytëzojnë deri në fund, për ta plaçkitur?
„Lufta dhe paqja“ e Tolstoit, a nuk po ndodh edhe sot? Një luftë zhvillohet larg qyteteve, nëpër sallone bisedohet për luftën dhe njerëzit, njësoj si atëherë, duan të bëjnë karrierë. Lindin dhe digjen dashuri, lindin dhe vriten shpresa… Njësoj si atëherë.
Shkrimtari boshnjak Zuko Xhumhur, i cili nuk jeton më që prej vitit 1989, thoshte se njerëz të mirë nuk ka; gjithçka varet nga mënyra se si dinë të aktrojnë. Tani, nëse e ka pasur origjinale apo e ka marrë nga të tjerët, kjo nuk ka rëndësi.
Nëse nuk e kam thënë thelbin e asaj që kam dëshiruar të them, ju lutem, mos të komprometohem!
