“Me ngjyrat e zemrës pikturojmë Gjilanin që duam” – Fëmijët me nevoja të veçanta shënuan Ditën e Shëndetit Mendor
Gjilan, 10.10.2026 – Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Komunës së Gjilanit organizoi sot një aktivitet të veçantë me fëmijët me nevoja të veçanta.
Përmes ngjyrave, kreativitetit dhe imagjinatës, fëmijët shprehën botën e tyre të bukur në telajo.

“Çdo ngjyrë ishte një mesazh dashurie dhe shprese”
Gjatë aktivitetit u përcoll mesazhi se shëndeti mendor është pjesë e pandashme e mirëqenies.

“Përmes këtij aktiviteti përcollëm mesazhin se shëndeti mendor është pjesë e pandashme e mirëqenies sonë dhe se kujdesi, pranimi, mbështetja dhe gjithëpërfshirja janë thelbësore për zhvillimin dhe mirëqenien e çdo fëmije”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë.
Organizatorët theksuan se çdo vizatim i fëmijëve mbartte një kuptim të veçantë.
“Çdo ngjyrë e hedhur në telajo ishte një mesazh dashurie, shprese dhe besimi. Sepse çdo fëmijë ka talentin, ëndrrat dhe potencialin e tij, të cilat meritojnë të shihen, të vlerësohen dhe të mbështeten”.

Falënderime për bashkëpunëtorët
Drejtoria falënderoi OJQ-në “Miqësia”, drejtorin e Shkollës së Artit Roland Masurica dhe nxënësit e kësaj shkolle për kontributin e tyre.
Aktiviteti u përmbyll me thirrjen për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
“Le të ndërtojmë së bashku një shoqëri ku flasim lirshëm për shëndetin mendor, ku respektojmë dallimet dhe ku secili ndihet i pranuar, i vlerësuar dhe i përfshirë. Misioni ynë: barazi, gjithëpërfshirje dhe mirëqenie për të gjithë!”, përfundon komunikata.

