BISEDA INTELEKTUALE MES A. EINSTEIN DHE RABINDRANAT TAGORE
14 Qershor 1930, Kaputh, afër Berlinit
Botohet për herë të parë në “The Religion of Man”, Londër
TAGORE: Sot bisedoja me Dr. Mendel në lidhje me zbulimet e reja në matematikë, sipas të cilave, në botën e madhësive pambarimisht të vogla, sjellja e atomeve i bindet rastësisë. Me sa duket, drama e ekzistencës nuk është aspak e paracaktuar në karakterin e saj.
EINSTEIN: Faktet që e bëjnë shkencën të tentojë drejt kësaj pikëpamje nuk do të thotë t’i themi lamtumirë parimit të shkakësisë.

TAGORE: Ndoshta jo. Megjithatë, duket sikur ideja e shkakësisë nuk është te grimcat elementare, por se disa forca të tjera ndërtojnë me këto grimca një gjithësi të organizuar.
EINSTEIN: Duhet përpjekur të kuptohet rregulli në një plan më të lartë. Rregulli është atje ku elementet e mëdha kombinohen dhe drejtojnë ekzistencën, por te grimcat shumë të vogla, ky rregull nuk është i përceptueshëm.
TAGORE: Kështu pra, dualiteti është në thelb të ekzistencës. Dmth është kontradikta e impulsit të lirë dhe vullnetit drejtues që realizon një skemë të rregullt të sendeve.

EINSTEIN: Fizika moderne nuk do t’i quante ato kontradiktore. Retë, kur shihen nga larg, duken si një objekt i vetëm, por kur i vëzhgon nga afër, ato shfaqen si një grumbull i çrregullt pikash uji.
TAGORE: Unë i gjej kësaj një paralele në psikologjinë njerëzore. Pasionet dhe dëshirat tona janë të çrregullta, por karakteri ynë i nënshtron këto elemente në një tërë të harmonishme. A ka diçka të ngjashme me këtë në botën fizike? A nuk janë grimcat e vogla rebele, dinamike, me një impuls individual? Dhe a ka një parim në botën fizike që i nënshtron ato duke i vendosur nën një organizim të rregullt?
EINSTEIN: Edhe vetë grimcat elementare nuk janë pa një rregull statistikor. Grimcat e radiumit do të ruajnë një rregull specifik të tyre, tani dhe përgjithmonë në të ardhmen, ashtu siç ka qenë vazhdimisht deri më sot. Ka pra një rregull statistikor për grimcat elementare.
TAGORE: Përndryshe, drama e ekzistencës do të ishte mjaft e paqëllimtë. Është harmonia e vazhdueshme e rastësisë dhe përcaktueshmërisë e cila e bën atë përjetësisht të re dhe jetësore.
EINSTEIN: Unë besoj se çfarëdo që bëhet me ne, ose bëjmë ne, ka shkakësinë e vet. Sidoqoftë, është gjë e mirë që ne nuk e përceptojmë dot.
TAGORE: Gjithashtu ka një elasticitet në veprimet njerëzore, një lloj lirie në rende të ulta që është për të shprehur personalitetin tonë. Është diçka e ngjashme me sistemin muzikor në Indi, i cili nuk është aq i ngurtë sa është në muzikën perëndimore. Kompozitorët tanë japin një linjë të përcaktuar muzikore, një sistem melodik dhe aranzhim ritmik, ku ekzekutuesi i saj, brenda disa kufijve, mund të improvizojë mbi të. Ai duhet të ndjekë me besnikëri pjesën muzikore, por edhe të japë shprehje spontane të ndjeshmërisë së tij muzikore sipas disa rregullave të paracaktuara. Ne admirojmë kompozitorin për talentin e tij në krijimin e bazës dhe superstrukturës së melodisë, por ndërkaq presim nga interpretuesi të shprehë aftësitë e tij duke krijuar variacione me zbukurime melodike. Në krijime ne ndjekim ligjin themelor të ekzistencës, por nëse lejojmë edhe një shmangie nga ai, atëherë kemi një liri të mjaftueshme brenda kufijve të personalitetit tonë për shprehjen më të plotë të vetëvetes.
EINSTEIN: Kjo është e mundur vetëm kur ka një traditë muzikore të fuqishme që mund të orientojë njerëzit. Në Evropë muzika ka shkuar tepër larg nga arti e ndjeshmëria popullore dhe është bërë si një lloj arti i fshehtë me konvencionet e traditat e saj.
TAGORE: Duhet të jesh absolutisht i bindur ndaj kësaj muzike kaq të komplikuar. Në Indi, masa e lirisë së këngëtarit është në personalitetin e tij krijues. Ai mund të interpretojë këngën e kompozitorit në mënyrën e tij/saj nëse ka fuqinë krijuese të afirmojë vetëveten në interpretimin e ligjit të përgjithshëm të melodisë që i është besuar.
EINSTEIN: Kërkohet një nivel shumë i lartë artistik për të realizuar plotësisht idenë e madhe të muzikës origjinale, kështu që mund të bëhen edhe variacione mbi të. Tek ne variacionet shpesh janë të paravendosura.
TAGORE: Nëse në sjelljen tonë ndjekim ligjin e virtytit, atëherë do të kemi një liri reale për shprehjen e vetëvetes. Vërtet është parimi i sjelljes, por karakteri që e bën atë të vërtetë dhe individual është në krijimin tonë. Në muzikën tonë ka një dualitet të lirisë dhe rregullit të paracaktuar.
EINSTEIN: Po fjalët e këngës a janë gjithashtu të lira? Dua të them, a është i lirë këngëtari të shtojë fjalë të tij në tekstin e këngës që këndon?
TAGORE: Po. Në Bengal kemi një lloj kënge – kirtan e quajmë – e cila i jep liri këngëtarit të ndërfusë komente ndërmjetëse, fraza që nuk janë në këngën origjinale. Kjo shkakton entuziazëm të madh, sepse dëgjuesit janë vazhdimisht të emocionuar nga sentimente spontane të mrekullueshme, të bëra nga këngëtari.
EINSTEIN: A është metrika tepër strikte?
TAGORE: Po, krejt. Nuk mund të kalohen kufijtë e vjershërimit. Këngëtari, në gjithë variacionet e tij, duhet të mbajë ritmin dhe kohën, të cilat janë të fiksuara. Në muzikën evropiane ju keni një liri të krahasueshme për kohën, por jo për melodinë.
EINSTEIN: Mund të ekzekutohet muzika indiane pa fjalë? Mund të kuptohet një këngë pa fjalë?
TAGORE: Po. Ne kemi këngë me fjalë të pakuptimta, tinguj që thjesht ndihmojnë në mbajtjen e notave. Në Indinë Veriore, muzika është një art i pavarur, jo një interpretim i fjalëve dhe mendimeve si në Bengal. Muzika është shumë e përpunuar dhe sugjestive dhe është një botë e tërë në vetë melodinë.
EINSTEIN: Nuk është polifonike?
TAGORE: Instrumentet përdoren, por jo për harmoninë, vetëm për të mbajtur kohën dhe për të shtuar volumin e thellësinë. A ka vuajtur melodia në muzikën tuaj nga imponimi i harmonisë?
EINSTEIN: Ndodh nganjëherë që vuan vërtetë tepër. Nganjëherë harmonia gëlltitë edhe vetë melodinë.
TAGORE: Melodia dhe harmonia janë si linjat dhe ngjyrat në pikturë. Një vizatim mund të jetë i mrekullueshëm, ndërkohë që duke i shtuar edhe ngjyrat mund të bëhet i vagët dhe humbet forcën. Por ngjyra, në kombinim me linjat, krijon piktura të mëdha, sa kohë që nuk çvlerëson apo shkatërron vlerën e vizatimit.
EINSTEIN: Është një krahasim i bukur. Vizatimi është gjithashtu shumë më i vjetër se ngjyra. Duket se melodia juaj është shumë më e pasur në strukturë se e jona. Muzika japoneze gjithashtu duket e tillë.
TAGORE: Është e vështirë të analizohet efekti i muzikës së Lindjes dhe të Perëndimit në mendjet tona. Unë jam shumë i prekur nga muzika perëndimore. Ndjej që është e lartë, e gjerë në strukturë dhe e madhe në kompozicion. Muzika jonë më prek më thellë prej vokacionit të vet lirik themelor. Muzika evropiane është epike në karakter, ka një sfond të gjerë dhe është gotike në strukturë.
EINSTEIN: Është një pyetje që ne evropianët nuk i përgjigjemi dot qartë. Ne jemi shumë të përdorur me muzikën tonë. Ne duam të dimë nëse muzika jonë është një ndjenjë konvencionale apo fundamentale; nëse është natyrale të ndjesh konsonancën dhe disonancën, apo një konvencion që ne e pranojmë.
TAGORE: S’di se si, por piano më ngatërron. Violinën më pëlqen shumë më tepër.
EINSTEIN: Do të ishte interesante të studioheshin efektet e muzikës evropiane në një indian që nuk e ka dëgjuar kurrë atë që nga ç’ka qenë i ri.
TAGORE: Unë njëherë i kërkova një muzikanti anglez të më analizonte disa pjesë të muzikës klasike dhe të më shpjegonte se çfarë elementesh e bëjnë të bukur një pjesë muzikore.
EINSTEIN: Vështirësia është se muzikën vërtetë të bukur, lindore apo perëndimore qoftë, nuk mund ta analizosh dot.
TAGORE: Po, dhe ajo që e prek thellë dëgjuesin është diçka shumë personale për çdo individ.
EINSTEIN: E njëjta pasiguri mbetet rreth çdo gjëje themelore në përvojën tonë, në reagimin tonë ndaj artit, kudo qoftë, në Evropë apo Azi. Bile edhe kjo lule e kuqe në tavolinë, mund të mos jetë e njëjtë për ty dhe mua.
TAGORE: E megjithatë është i pranishëm gjithmonë një proces pajtimi mes tyre: shija individuale që tenton të përputhet me standardin e përgjithshëm…
Përgatiti: Xhemail Veseli
