Publicisti Ismet Rashiti dhuroi 110 ekzemplarë të librit “Revolta e Syzifit” për bibliotekat e shkollave të Vitisë
Zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, ka pritur në takim publicistin dhe gazetarin Ismet Rashiti, i cili me këtë rast ka dhuruar 110 ekzemplarë të librit “Revolta e Syzifit”, me autor Bardhyl Mahmutin.
Libri është botuar në përkujtim të viktimave të gjenocidit të kryer në fshatin Poklek gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe trajton ngjarje dhe dëshmi të rëndësishme nga periudha e luftës.
Gjatë takimit, Rashiti e ka njoftuar zëvendëskryetarin Aliu për vizitën e tij të fundit në Muzeun e Familjes Muçolli në Poklek, duke ndarë edhe rrëfime dhe të dhëna për historinë e kësaj familjeje dhe ngjarjet e asaj kohe.


Rashiti ka vlerësuar se libri “Revolta e Syzifit”, i autorit Bardhyl Mahmuti, është një botim i veçantë dhe me rëndësi që duhet të jetë i qasshëm edhe për nxënësit, në mënyrë që brezat e rinj të njihen me të kaluarën e afërt dhe me dëshmitë e luftës në Kosovë.
110 ekzemplarët e këtij libri do t’u shpërndahen bibliotekave të shkollave të Komunës së Vitisë, ndërsa libri iu është dorëzuar institucioneve komunale, përkatësisht Drejtorisë së Arsimit dhe Shoqatës së Krijuesve dhe Shkrimtarëve “Ramadan Musliu”.
Zëvendëskryetari Hasan Aliu e ka falënderuar publicistin Ismet Rashiti për këtë donacion, duke theksuar rëndësinë e pasurimit të bibliotekave shkollore me botime që trajtojnë historinë më të re të Kosovës dhe dokumentojnë ngjarjet e rënda të shkaktuara nga pushteti serb gjatë luftës.
Ai ka vlerësuar se libra të tillë janë të rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës historike dhe për informimin e brezave të rinj mbi të kaluarën e vendit
