Lara Colturi shkruan historinë, himni shqiptar jehon në Kupën e Botës në ski
Flamuri kuqezi u ngrit në majën e podiumit, ndërsa himni kombëtar shqiptar u dëgjua në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të skijimit botëror. Lara Colturi i dhuroi Shqipërisë një sukses historik, duke fituar garën e slalomit në Gurgl të Austrisë.
Skiatorja 20-vjeçare, e cila përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, triumfoi në garën e zhvilluar më 21 nëntor, në kuadër të Kupës së Botës në ski alpine.

Colturi e përfundoi garën me kohën 1:45.47 minuta, duke lënë pas suedezen Sara Hector, me 27 të qindtat e sekondës, dhe Anna Swenn Larsson, e cila u rendit e treta.


Ky është triumfi i parë i Lara Colturit në Kupën e Botës dhe njëkohësisht fitorja e parë e Shqipërisë në historinë e këtij kompeticioni. Para këtij suksesi, skiatorja shqiptare kishte regjistruar nëntë podiume në garat e Kupës së Botës.

Kulmi emocional erdhi gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, kur në Gurgl u intonua himni kombëtar shqiptar dhe flamuri kuqezi u ngrit në shkallën më të lartë të podiumit.
Suksesi u prit me entuziazëm edhe në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama e cilësoi atë si një ditë historike për sportin shqiptar, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, tha se ky rezultat ishte pritur me besim, duke theksuar rëndësinë e tij për promovimin e skijimit në Shqipëri.
Vetë Colturi u shpreh e emocionuar pas triumfit, duke e cilësuar fitoren si një arritje të jashtëzakonshme.
Përtej rezultatit sportiv, fitorja e saj në Austri përfaqëson një moment të veçantë krenarie për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët. Një flamur, një himn dhe një sukses që do të mbetet gjatë në kujtesën e sportit shqiptar.
Rreth flamurit të përbashkuar! Krenari kuqezi!
