Hamza thotë se s`ka komunikuar me Kurtin: Kërkesa jonë e qartë, të thirret seanca
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza para nisjes së mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, tha se nuk ka arsye të mos votohet në lexim të dytë projektligji për Specialen, teksa shtoi se kjo është çështje që i takon gjithë vendit dhe jo veç një subjekti politik.
I pyetur nga mediat nëse ka pasur komunikim me kryeministrin Albin Kurti, ai ka mohuar një gjë të tillë.
“Jo, nuk kemi pasur komunikim. Kërkesa jonë është e qartë: të thirret seanca, ligji të votohet në lexim të dytë. Nuk ka asnjë vështirësi, asnjë pengesë. Nëse ka pasur çfarëdo pengese apo çfarëdo dileme, pse ka kaluar në lexim të parë?”, tha Hamza.

Ai ka thënë se përderisa ligji u votua në lexim të parë, nuk ka arsye mos të kalojë në lexim të dytë.
“Ne kemi folur vazhdimisht dhe kemi thënë se ligjet duhet votuar në dy lexime. Nuk është çështje që i takon një partie politike, nuk është ligji i PDK-së. UÇK ka ekzistuar para se të ekzistonte PDK e partitë e tjera. Është mirë që në çdo parti ka ushtarë të UÇK-së. Unë i bëj ftesë zotit Kurti, Kuvendit, që ta thirrin seancën dhe të gjithë deputetëve ta aprovojnë ligjin në lexim të dytë”, ka thënë Hamza.
“Nuk ka pengesa përveç mungesës së vullnetit të partisë në shumicë”, ka shtuar ai./RTK
